A e dinit?

A e dinit se?

  • Zyrtarisht, kapaciteti i instaluar fotovoltaik në Shqipëri është zero Vat.
  • Që prej 2008 energjia elektrike e prodhuar nga termoçentralet në Shqipëri ështe zero, thënë ndryshe, e gjithe energjia elektrike e prodhuar në Shqiperi vjen vetëm nga hidroçentrale.
  • Gjatë dekadës së fundit importi mesatar neto (pa përfshire shkëmbimet) i energjisë elektrike është 14.3% e totalit të burimeve energjetike.
  • Humbjet në rrjet në Shqipëri për periudhën 2000-2013, përbëjnë mesatarisht 34.8% të konsumit total të energjisë.
  • Çdo orë dielli çliron sasinë e energjisë që i tërë njerëzimi konsumon për energji elektrike, ngrohje dhe transport në një vit të plotë.
  • Pritet që deri në 2020, 10% e elektricitetit në botë të prodhohet nga fotovoltaikët.
  • Çentrali më i madh fotovoltaik në botë është Agua Caliente në Arizona me kapacitet të instaluar 290MWp.
  • Çentrali më i madh fotovoltaik hibrid në botë ndodhet në Kinë, me 320MWp fuqi fotovoltaike shtuar fuqisë hidro prej 1.28GW.
  • SunPower™ hyri në Librin e Rekordeve Guinness për prodhimin e modulit FV me rendiment më të lartë të dalë në shitje; ai është seria E20 me rendiment 20.4%.
  • Silici është elementi i dytë më i përhapur në koren e Tokës, pas oksigjenit. Ai është materjali kryesor në mikroçipe dhe qarqe të integruara që përbëjnë pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronikën e sotme.
  • Paneli i parë diellor praktik për përdorim shtëpiak dhe tregtar u krijua nga Sharp në 1963, 10 vjet pasi u shpik në Bell Laboratories.
  • Roli i fotovoltaikëve ka qenë vendimtar në furnizimin me energji të satelitëve që prej fund-viteve ’50; revolucioni në telekomunikacion do të kishte qenë i pamundur pa to.
  • Prototipi i parë funksional i një pompe diellore uji, i ideuar nga një studente femër, u ndërtua në ishullin e Korsikës në 1970. Ai u vu ré nga një prift francez i cili e përcolli atë si një zgjidhje në Mali, vend i cili po vuante nga një thatësirë e keqe në atë kohë. Dhjetë vjet më vonë, Mali kishte instaluar numrin më të madh të pompave diellore të ujit për frymë në botë.
  • Në 2013 Fraunhofer ISE prezantoi qelizën FV me rendiment më të lartë deri më sot: 44.7%. Ajo përbëhet nga katër nënshtresa, secila prej të cilave përthith gjatësi vale të ndryshme të spektrit diellor.
  • Tashmë është e mundur që të instalosh qelq fotovoltaik të ngjyrave dhe tejdukshmërive të ndryshme në dritare dhe baxha.
  • Aktualisht, disa kompani janë duke eksperimentuar me sisteme FV lundruese, që qëndrojnë në sipërfaqen e rezervuarëve, pellgjeve ose liqeneve.
  • “Autostradat e Zgjuara” janë në të ardhmen tonë: së shpejti ne do të ecim dhe ngasim makinat mbi teknologji fotovoltaike të përfshira me trotuaret, rrugët dhe autostradat.