FAQ’s

Kur funksionon më së miri një modul fotovoltaik?

Një modul FV duhet ekspozuar nën rrezet direkte të diellit për të prodhuar energjinë maksimale. Prodhimi i energjisë nga moduli FV varet shumë nga mënyra e pozicionimit të tij në lidhje me diellin; prandaj, sasia e energjisë qe ai do të prodhojë varet nga orari i ditës dhe nga stina. Duke supozuar që një modul FV është montuar në mënyrë optimale, ai do të prodhojë sasinë më të madhe të energjisë elektrike midis orës 9 të mëngjesit dhe 3 të drekës, dhe do  të arrijë pikun rreth orës 12 në mesditë, kur dielli ndodhet direkt mbi të.

Prodhimi i një moduli FV varet gjithashtu edhe nga qartësia e qiellit. Retë gri të dendura e vështirësojnë depërtimin e rrezeve të diellit për të arrirë sipërfaqen e modulit. Ndotja e ajrit gjithashtu ndikon prodhimin e modulit FV, gjë që është e dukshme ne vënde me nivel të lartë ndotje. Në Shqipëri, ndikimi i ndotjes së ajrit është i papërfillshëm në zonat urbane dhe nuk ekziston në zona të tjera.

Ku ndryshon moduli fotovoltaik nga paneli fotovoltaik dhe nga sistemi fotovoltaik?

Një modul FV përbëhet nga disa qeliza FV. (Moduli është ai që blihet në treg). Një panel FVpërbëhet nga një tërësi modulesh fotovoltaike, të montuara në një strukturë të përbashkët, të lidhura fizikisht në të njëjtin plan. Lidhja elektrike e moduleve FV në seri (për të rritur tension) formon një varg FV (string). Në sisteme të mëdha, ndërlidhja e vargjeve FV në paralel (për rrymë më të madhe) për të arrirë një kapacitet të vetëm prodhues përbën njëformacion FV (array) ose një gjenerator FV. Një sistem FV përbëhët nga një formacion FV dhe BoS. Balancimimi i Sistemi BoS është tërësia e komponenteve, përveç formacionit FV dhe baterive, të domosdoshëm për mirëfunksionimin e sistemit FV, si psh: pajisje kontrolli, pajisje mbrojtëse, kabllo, struktura mbajtëse, lidhësa, matësa, etj.

9. PVCellModuleSystem

Përse shërben inverteri?

Inverteri është një pajisje elektrike e cila konverton rrymën e vazhduar të prodhuar nga moduli FV në rrymë alternative të kërkuar nga pjesa më e madhe e pajisjeve që përdorim. Mësoni më shumë për inverterin.

A do të funksionojë një sistem FV kur ka ré? Çfarë ndodh gjatë natës?

Po, por sasia e energjisë e prodhuar do të jetë më pak në një ditë me re sesa ne një ditë të shndritshme me diell dhe qiell të pastër blu. Retë pengojnë rrugën e diellit për në tokë dhe prandaj, ulin sasine e ndriçimit që ‘godet’ siperfaqen fotovoltaike. Disa module FV janë projektuar posaçërisht për mot me ré por përkundrejt një çmimi më të lartë.

Fatmirësisht, në Shqipëri ne jemi të pozicionuar në mënyrë ideale për të marrë mesatarisht 3400 orë-diell në vit, që karakterizohen nga qartësi e lartë e qiellit dhe relativisht ndotje e ulët e ajrit.

Gjatë natës modulet FV nuk prodhojne energji elektrike.

A do të prodhojë të njëjtën sasi energjie elektrike sistemi FV çdo muaj?

Jo. Kjo për arsye të pozicionit të ndryshueshëm që ka dielli gjatë vitit. Në Hemisferën Veriore dielli është më pranë tokës në qershor, kur prodhohet edhe sasia më e madhe e energjisë elektrike nga sistemi FV. Sasia vazhdon të ulet ndërsa i afrohemi vjeshtës dhe dimrit. Sasia e energjisë arrin minimumin e mundshëm në 21 dhjetor me solsticin e dimrit, kur dita është më e shkurtra dhe nata më e gjata e vitit për shkak të lartësisë më të ulët të diell në qiell. Që nga kjo ditë, dielli fillon t’i afrohet sipërfaqes së tokës dhe fotovoltaikët prodhojnë një sasi të shtuar elektriciteti derisa arrijnë pikun në 21 qershor, ditë që korrespondon me pozicionin më të lartë të diellit në qiell. Grafiku i mëposhtëm ilustron se si rrezatimi diellor ndryshon sipas muajve në qytetin e Tiranës.

3. RrezatimiTirane

Por sasia e energjisë elektrike të prodhuar nga fotovoltaikët varet drejtëpërdrejtë edhe  nga vendndodhja e tyre gjeografike dhe pozicionimi i tyre përkundrejt diellit.  Grafiku i mëposhtëm ilustron se si rrezatimi diellor ndryshon në disa prej qyteve kryesore të Shqipërisë.

4. RrezatimiSipasQyteteve

Një tjetër faktor që ndikon rendimentin e një sistemi FV janë hijet. Hijet ndryshojnë me çdo orar të ditës dhe gjatë çdo dite të vitit. Për shembull, hija e një peme do të ndryshojë gjatë gjithë vitit si rezultat i pozicionit të ndryshëm të diellit. Por, hija e një peme do të ndryshojë gjithashtu edhe si rezultat i pamjes së vet që merr gjatë stinëve; Imagjinoni hijen e një peme në dimër kur të gjithë gjethet kanë rënë dhe në pranverë kur fillon të lulëzojë. Analizimi i hijeve është vendimtar gjatë fazës së projektimi të një sistemi FV; ekspertët janë në gjendje të analizojnë të gjitha burimet, të parashikojnë sjelljen e tyre dhë të optimizojë vendosjen e modulit

A mbulon një sistem FV të gjitha kërkesat e mia për energji elektrike?

Me shumë mundësi, jo. Një sistem FV përdoret kryesisht në bashkëveprim me energjinë e furnizuar nga rrjeti, si Sistemet FV Rrjet-Lidhur.  Sistemi FV nuk furnizon me energji elektrike gjatë natës dhe do të furnizojë më pak gjatë ditëve me ré. Por, ekzistojnë përdorime të tjera të sistemeve fotovoltaike që funksionojnë pa lidhje me rrjetin, siç janë Sistemet FV Jashtë-Rrjetit dhe Sistemet FV Hibride.

Në cilën stinë është më mirë ta instaloj sistemin FV?

Ju mund të instaloni një sistem FV në çdo moment të vitit. Parashikoni disa ditë vonesë në punime gjatë vjeshtës dhe dimrit për shkak të shirave, gjatë të cilave elektriçistët nuk këshillohen të punojnë për arsye sigurie.

Ne ju rekomandojmë të filloni të shqyrtoni instalimin e një sistemi FV dhe të na kontaktoni gjatë vjeshtës ose dimrit, në mënyrë që nësë vendosni të vazhdoni  me instalimet, t’i merrni maksimumin muajve të pranverës dhe verës. Ne ju rekomandojmë të konsultoni një profesionist. Inxhinierët dhe teknikët me eksperiencë në fushën e fotovoltaikëve do t’ju paraqesin listën e plotë të shpenzimeve dhe kursimeve.

A do të funksionojë sistemi FV në rast se më shkëputet energjia?

Në përgjithësi, jo, nuk do të funksionojë. Në rast se keni instaluar një sistem FV rrjet-lidhur dhe ndërpritet energjia për çfarëdo shkaku, për arsye sigurie, sistemi juaj FV menjëhere dhe automatikisht do të izolohet duke mos ju furnizuar me energji elektrike. Vetëm në rastet kur keni të instaluar edhe një sistem baterish (ose bankë baterish, ose UPS) së bashku me sistemin fotovoltaik, ju siguroni furnizim me energji elektrike edhe kur ajo shkëputet nga operatori.

A janë të shtrenjta modulet FV?

Nuk janë aq të shtrenjta sa mund t’i mendoni. Në tregun e fotovoltaikëve ju do të gjeni module të çmimeve të ndryshme, në varësi të tipit, rendimentit, madhësisë, markës, etj. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se gjatë dekadës së fundit çmimet e moduleve FV kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. Nga ana tjetër, çmimet e energjisë elektrike kanë ardhur duke u rritur dhe parashikohet të rriten edhe më shumë. Kjo është arsyeja kryesore që ju duhet të investoni për një sistem fotovoltaik.

Një sistem FV do t’ju kushtojë paraprakisht, por do t’ju kursejë para gjatë 20 viteve të ardhshme, për këtë arsye konsiderohet një investim. Në një botë që është gjithnjë e më shumë e shqetësuar për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, energjia e rinovueshme e fotovoltaikëve është përgjigjia.

Merrni ofertën tuaj tani pa asnjë pagesë!

Ç’lidhje kanë fotovoltaikët me çmimin e energjisë elektrike?

Vërtetë modulet FV janë pajisje, por jo nga ato pajisje që harxhojnë energji elektrike, si psh televizori, kompjuteri apo celulari, përkundrazi. Fotovoltaikët bëjnë të kundërtën e këtyre pajisjeve. Ato prodhojnë elektricitet duke ju kursyer pará të cilat janë të destinuara  për t’u shpenzuar tek operatori për pagesën e faturës elektrike, e cila rritet sa herë ju i shtoni një pajisje elektrike të re shtëpisë ose biznesit tuaj. Për këtë arsye fotovoltaikët konsiderohen një investim dhe jo një shpenzim. Pavarësisht përmirësimit të rendimentit të pajisjeve elektrike, është fakt tashmë i njohur botërisht, që rritja e mirëqenies sjell rritjen e kërkesës për konsum të energjisë elektrike; thënë ndryshe, pas disa vitesh ju do të harxhoni më shumë kilovatorë energji elektrike, pavarësisht se do të jeni duke përdorur pajisje me rendiment më të lartë.

Pa marrë parasysh faktorët të cilët përcaktojnë çmimin e shitjes së energjisë elektrike, është fakt që në njësinë e kohës çmimi i energjisë elektrike ka qenë në rritje, si në nivel global, ashtu edhe në atë lokal në Shqipëri dhe, do të vazhdojë të mbetet i tillë. Grafikët e mëposhtëm ilustrojnë orientimin në rritje të çmimit të energjisë elektrike për sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

1. CmimetEnergjiseRezidenca
2. CmimetEnergjiseBiznese

Si konkluzion, duke qenë se edhe konsumi edhe çmimi i energjisë elektrike do të vazhdojnë të ngjiten në të ardhmen, individët dhe investitorët po kërkojnë mënyra që t’i mbajnë sadopak nën kontrollin e tyre këto shpenzime. Në sektorin energjetik, fotovoltaikët së bashku me përdorimin e pajisjeve me rendiment më të lartë, i ofrojnë kujtdo të vetmen mënyrë për të patur një masë kontrolli mbi shpenzimet e tashme dhe ato të ardhme të konsumit të energjisë. Vetëprodhimi i energjisë elektrike, përmes një investimi (fizibël) në sektorin e fotovoltaikëve, ju garanton çmim shumë herë më të ulët se të blerjes së saj nga operatori. Fizibiliteti i një investimi në sektorin e fotovoltaikëve lidhet drejtpërdrejtë me çmimin e shitjes së energjisë elektrike. Sa më i lartë të jetë ky i fundit, aq më shpejtë do të shlyejë veten investimi. Gjithashtu, investimi në sisteme FV përbën një investim në sektorin e energjisë së rinovueshme, të pastër, për të cilën individët dhe bizneset pritet të shpërblehen dhe inkurajohen përmes skemave të ndryshme qeveritare dhe europiane që dalëngadalë po fillojnë të prezantohen në vendin tonë.

A janë fotovoltaikët një investim i mirë?

Ju do të dëgjoni përgjigje kontradiktore për këtë pyetje. Përgjigjia e duhur është “varet”. Nëse sistemi është projektuar në mënyrën e duhur dhe është llogaritur saktë sasia e energjisë që pritet të përftohet, nëse të gjitha kursimet dhe të gjitha shpenzimet janë parashikuar dhe ju jeni dakord me Kthimin e Investimit (ROI) dhe periudhën e kthimit mbrapsht të investimit, atëherë pergjigjia e duhur është “Po”.

Sistemet FV janë një investim. Ju duhet të kuptoni se sa energji elektrike prisni të prodhoni prej tyre. Duhet të bëni më të mirën të përafroni sasinë e elektricitetit që mund të prodhojë. Në raste të investimeve të mëdha, ju duhet të kuptoni edhe kushtet e Kontratës së Lidhjes me Rrjetin PPA, kryesisht Tarifën Fikse të Shitjes FiT dhe afatet e saj.

Dua të instaloj një sistem FV në objektet e mia, por si mund të sigurohem që do të më kursejë pará?

Për t’u siguruar që sistemi FV që instaloni në shtëpi apo në ambjente biznesi është fitimprurës, duhet të bëni disa llogari. Duhet të keni një pamje të plotë dhe të qartë të sasisë së energjisë që jeni duke konsumuar. Grumbulloni të gjitha faturat e energjisë elektrike të vitit të fundit. Përmblidhni në një tabelë sasinë e kWh mujorë dhe çmimin përkatës. Mendohuni mirë nëse planifikoni t’i shtoni një tjetër pajisje shtëpisë tuaj ose një tjetër linjë prodhimi biznesit tuaj në të ardhmen. Ju duhet të parashikoni një rritje të çmimit të energjisë elektrike në 2015.

Nga ana tjetër, listoni të gjitha shpenzimet që lidhen me instalimin e një sistemi FV: koston e blerjes së të gjithë pajisjeve dhe materjaleve, koston e instalimit të tyre dhe koston e ulët të mirëmbajtjes së tyre në kohë. Ju duhet gjithashtu të keni parasysh se si objekti juaj është i orientuar në lidhje me diellin, ku dhe si do të orientohen modulet në objekt, sa kWh pritet që modulet të prodhojnë, sa është vlera e këtyre kWh, etj.

Shumica e njerëzve nuk zotërojnë njohuritë teknike për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve kryesore; prandaj, ju duhet ndihma e një eksperti fotovoltaik. Ekspertët e SolarON do të bisedojnë me ju për të kuptuar nevojat tuaja, do të kontrollojnë mënyrën se si ju konsumoni energji, do të inspektojnë dhe vlerësojne objektin dhe rrethinat e tij, do të kryejnë matje dhe do të hartojnë Vizatime Inxhinierike të Detajuara dhe Specifikime Teknike. Ndër të tjera, raporti do të tregojë orientimin optimal të modulit, sasinë e elektricitetit që pritet të prodhohet, analiza financiare, etj. Na kontaktoni nëse dëshironi të dini më tepër rreth temave të mbulura nga raporti.

Merrni ofertën tuaj tani pa asnjë pagesë!

Si mund të jem i sigurtë që po marr atë për të cilën po paguaj?

Tregu shqiptar është i çorientuar dhe fare pak i informuar në lidhje me teknologjinë e fotovoltaikëve. Gjetja e profesionistëve me eksperiencë dhe kontraktorëve të besueshëm nuk është një punë e thjeshtë. Tregu shqiptar është ende shumë i panjohur me fotovoltaikët; prandaj, ju do të dëgjoni opinione të ndryshme nga profesionistë, jo-profesionistë dhe pseudo-profesionistë në lidhje me rendimentin e moduleve FV.

Ne ju rekomandojmë që ju të pyesni sa më shumë persona, profesionistë, kompani dhe të këshilloheni me internetin përpara se të vendosni nëse fotovoltaikët mund të përbëjnë një zgjidhje për ju ose një mundësi investimi. Lexoni me kujdes specifikimet teknike dhe analizat financiare. Mos i besoni askujt që ju premton rendiment të modulit prej 30%. Rendimente të tilla të qelizës FV (ende jo të modulit) janë duke u krijuar dhe testuar nëpër laboratore dhe nuk do të hyjnë në treg edhe për vite të tëra.

Si mund të zgjedh një modul FV?

Si mund të zgjedh një inverter?

Merrni tani ofertën tuaj pa asnjë pagesë.

Pse shikoj kaq pak fotovoltaikë të instaluar në Shqipëri? A është ky një tregues i funksionimit jo të mirë të tyre?

Jo. Shqipëria është vendi ideal për të prodhuar energji elektrike nga fotovoltaikët. Ja pse.

Arsyeja pse ju nuk shikoni shumë module FV të instaluar në Shqipëri është sepse shume pak njerëz i njohin përfitimet e tyre dhe mënyrën si mund të fitojnë nga kjo teknologji.

Një tjetër arsye është që përpara vitit 2013, legjislacioni që rregullon sektorin e energjisë së rinovueshmë nuk ekzistonte. Në të ardhmen e afërt, incentiva, ulje taksash, subvencione dhe grante pritet të përkrahin këtë sektor. Me synimin për t’iu bashkuar BE, Shqipëria i vetmi vend në Europë me zero Vat kapacitet të instaluar fotovoltaik, duhet të zhvillojë sektorin e energjisë së rinovueshme nga fotovoltaikët domosdoshmërisht.

Sa e përshtatshme është Shqipëria për instalimin e moduleve FV?

Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë ideale në Mesdhé, duke evituar veriun e dëborës dhe shkretëtirat e nxehta, me orë të gjata rrezatimi diellor, mesatarisht 3400 orë në vit. Një sistem FV prej 1kWp i vendosur në mënyrë optimale në Tiranë do të prodhojë elektricitet në rradhët e 1400kWh në vit, thuajse të njëjtë me Romën ku prodhohen rreth 1450kWh/vit, dhe më shumë se në vendet ku fotovoltaikët janë përhapur masivisht si në Londër dhe Berlin ku mesatarisht i njëjti sistem prodhon 1000kWh/vit dhe 950kWh/vit, respektivisht.

Çfarë do të thotë kWp? Çfarë është kWp?

kWp (lexo: kilo-Vat-pik, nga anglishtja kilo-Watt-peak) e paraprirë nga një numër, përshkruan sasinë e fuqisë elektrike DC që një modul PV është i aftë të prodhojë nën Kushte Standarte Testimi STC. Kjo sasie fuqie (output) e prodhuar nën Kushte Standarte Testimi njihet gjithashtu si Fuqia Nominale (Pik) e modulit FV dhe matet me kWp. Sasia reale e energjisë elektrtike e prodhuar nga një modul FV në Temperaturën Normale të Funksionimit të Qelizës NOCT (nga anglishtja Normal Operating Cell Temperature) do të jetë më e vogël.

Madhësia e një sistemi FV matet gjithashtu me kWp dhe është shuma algjebrike e fuqive nominale të të gjitha moduleve, gjë që njihet me termin Fuqi e Instaluar ose Kapacitet i Instaluar.

Termi kWp përdoret posaçërisht në industrinë e fotovoltakëve.

A janë të sigurta sistemet FV?

Po. Modulet FV janë të sigurta për t’u instaluar në shtëpinë ose biznesin tuaj.
Po. Modulet FV janë të sigurta për t’u operuar dhe mirëmbajtur.
Po. Modulet FV janë të sigurta për shëndetin dhe mirëqenien tuaj. Ato nuk emetojnë energji, dritë, tinguj ose kimikate.
Po. Module FV, invertera dhe kabllo të projektuar, të instaluar dhe të mirëmbajtur në mënyrën e duhur nuk përbëjnë rrezik zjarri.
Por, jo të gjithë modulet FV, inverterat dhe kabllot janë njëlloj. Ju do të gjeni produkte të ndryshme të prodhuesve të ndryshëm në tregun shqiptar, disa nga të cilat janë të besueshëm dhe disa që nuk janë. Ne ju rekomandojmë të lexoni specifikimet e tyre teknike dhe çertifikimin e tyre përpara se të blini ose të operoni një sistem te tille.

Si të zgjedh një modul FV?

A mund ta instaloj vetë një modul FV?

Po të mos jeni një elektriçist me eksperiencë në instalimin e fotovoltaikëve, ne nuk ju rekomandojmë që ju ta instaloni vetë modulin FV. Modulet FV kanë të bëjnë me rrymën e vazhduar, instalime të cilat jo çdo elektriçist i njeh. Prandaj, për mirëqenien tuaj dhe të të tjerëve rreth jush dhe për të evituar dëmtime të përhershme të pajisjeve, ne ju rekomandojmë që ju të kontaktoni me një elektriçist ose teknik me eksperiencë në instalimet fotovoltaike. Së bashku me këtë, duam t’ju kujtojmë se një inxhinier është profesionisti i duhur për të projektuar një sistem FV, jo një elektriçist. Për të siguruar ndërlidhje me rrjetin do t’ju duhet të merrni paraprakisht miratimin nga autoritet, proçedura të cilat kërkojnë projektimin e sistemit FV nga një inxhinier i liçensuar, kështu që është e paeviteshme pagesat ndaj inxhinierit elektrik të liçensuar ose kompanisë konsulente.

Një modul FV më vete, me shumë mundësi nuk do t’ju shërbejë shumë në shtëpinë tuaj, meqenëse ka nevojë për një inverter, çelësa, kabllo, etj., përzgjedhja dhe instalimi i të cilave nuk është diçka që ju mund ta bëni vetë.

Gjithashtu, ju duhet të kuptoni që edhe thjeshtë të transportoni një modul FV të ekspozuar në mes të ditës nga makina juaj për në tarracë, megjithëse nuk është i lidhur me asgjë, moduli do të jetë duke kryer funksionin e tij; pra, ju po rrezikoni të ekspozoheni ndaj tensioneve që mund të tejkalojnë 40VDC!

Sa jetëgjatë është një sistem FV?

Një sistem FV është po aq i mirë sa edhe komponentët e tij, ku kryesorët janë modulet dhe inverterat. Zakonisht, modulet FV cilësore kanë një jetëgjatësi që i tejkalon 25 vjet, ndërsa inverteri rron nga 5 deri ne 10 vjet, në varësi të cilësisë; prandaj, ju duhet të konsideroni shpenzimet e ndërrimit të inverterit të paktën një herë gjatë jetëgjatësisë së sistemit FV.

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se analizat financiare për të vlerësuar kthimin mbi investimin ROI zakonisht kryhen për 15-20 vitet e para të sistemit. Për pasojë, ju do të prodhoni elektricitet pa pagesë për një kohë të gjatë pas periudhës së kthimit të investimit.

Unë kam instaluar një sistem FV. Si mund ta operoj? Si mund ta mirëmbaj?

Sistemet FV nuk kërkojnë pjesëmarrje personeli gjatë operimit të tyre. Ato funksionojnë në mënyrë automatike, autonome dhe të vazhdueshme.

Sapo ta keni instaluar sistemin FV, ju duhet të lexoni manualin e përdorimit dhe mirëmbajtjes, që ju është dhënë nga kontraktori, së bashku me dokumentacionin e garancisë. Më poshtë do të gjeni disa këshilla kryesore e të përgjithshme, që vlejnë për të gjitha sistemet FV:

  • Modulet FV janë vetë-pastruese; shiu kujdeset për këtë punë. Por, kryesisht për modulet me pjerrësi të vogël, ne ju rekomandojmë pastrimin e tyre të paktën dy herë në vit, duke përdorur të njëjtat produkte dhe mënyrë si për pastrimin e xhamave të dritareve.
  • Nëse modulet janë të montuara përdhé dhe barërat e këqinj janë rritur aq sa pengojnë rrezatimin e tyre, ne ju rekomandojmë t’i shkulni; në rastë shkurresh, krasitini ato. Nëse pranë moduleve FV po rritet një pemë, e cila nuk është parashikuar gjatë fazës së projektimit, ne ju rekomandojmë që të krasitni degët e saj, por mos e prisni atë në asnjë mënyrë. Ne nuk besojmë së prerja e pemëve është veprim i duhur.
  • Edhe inverteri kërkon pak vëmendje nga ana juaj. Ju do të jeni në gjendje të dalloni defektin e një inverteri ose nëpërmjet një ndriçimi të kuq vezullitës ose një tingulli të dëgjueshëm, ose thjeshtë duke lexuar matësin e energjisë. Në këtë rast, përpiquni të lexoni atë që shfaqet në ekranin e inverterit dhe kontaktoni menjëhere kontraktorin në mënyrë që të mos humbisni më kilo-vat-orë të çmuar; Qoftë brenda periudhës së garancisë, ose jo, kontraktori juaj e njeh më mirë inverterin se kushdo dhe duhet të jetë në gjendje të përcaktojë me saktësi problemin dhe ta zgjidhë atë.

Cili është ndryshimi midis një sistemi fotovoltaik dhe një sistemi panelesh diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë?

Sistemet dhe modulet fotovoltaike janë shumë të ndryshëm nga sistemet diellore të ngrohjes së ujit. Ato bazohen në parime pune dhe teknologji tërësisht të ndryshme. Fotovoltaikët prodhojnë elektricitet sipas efektit fotovoltaik, që kërkon praninë e fotoneve të dritës, ndërsa, sistemi i paneleve diellore për ngrohjen e ujit, ngroh ujin përmes energjisë termale të diellit. Njëra kërkon kabllo, invertera dhe aksesorë të tjerë elekrike, ndërsa tjetra përdor tuba, pompa dhe depozita. Të dyja janë forma të energjisë së rinovueshme dhe shfrytëzojnë rrezet e diellit.

Çfarë nënkuptohet me “Optimizim Sistemi”?

Optimizim Sistemi është proçesi që përfshin evidentimin e faktorëve që përcaktojnë sjelljen e sistemit dhe të kontrolluarit e këtyre faktorëve në mënyrë që të maksimizohet prodhimi. Optimizimi i një sistemi FV ndodh gjatë fazës së projektimit dhe kryhet nga një profesionist. Ky proçes kërkon vlerësimin e shumë faktorëve që përcaktojnë sjelljen e sistemit FV, si psh: rrezatimi, pozicioni gjeografik, temperatura e ambientit, kushtet atmosferike, orientimin e objektit, burimet e hijeve, mënyrën e konsumit të energjisë, tipet dhe vendndodhjen e pajisjeve, materialet instalative dhe mënyrën e instalimit, etj. Duke marrë parasysh dhe duke gjetur mënyra për t’i kontrolluar këta faktorë, sigurohet që çdo komponent i sistemit të funksionojë aq mirë sa e ka të mundur. Optimizimi sjell uljen e humbjeve dhe rrit rendimentin e sistemit, duke sjellë prodhimin maksimumal të kilo-Vat-orëve të çmuar.

Optimizimi i sistemit mund të jetë gjithashtu i nevojshëm në raste kur sistemi nuk është instaluar në mënyrën e duhur ose në raste kur ndodhin ndryshime të rëndësishme në ambjentin rrethues pas përfundimit të instalimeve.

Dua të instaloj një sistem FV. Çfarë duhet të bëj?

Tek Solaron ne jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime profesionale dhe të besueshme që lidhen me fotovoltaikët përmes një komunikimi të thjeshtë dhe privat. Thjeshtë shkarkoni njërin prej formularëve, Formulari i Ofertës për Shtëpine Time ose Formulari i Ofertës për Biznesin, plotësojeni atë, dhe dërgojeni me email te ne. Më pas, ne do të përgatisim një zgjidhje teknike dhe një ofertë financiare. Gjithçka është e realizuar nga privatësia dhe komoditeti i kompjuterit tuaj, dhe më e rëndësishmja, pa asnjë detyrim dhe pagesë!

Si ta zgjedh një modul FV?

Modulet FV nuk janë të gjitha të njëjta. Përpara së të blini një modul FV, si njësi të veçuar ose pjesë të sistemit, ju duhet të kuptoni disa karakteristika kryesore: tipin e modulit FV, që është  lidhur në mënyrë direkte me rendimentin dhe energjinë që prodhojnë. Modulet klasifikohen sipas sasisë së energjisë elektrike që mund të prodhojnë, e cila matet me kWp.

Modulet FV monokristalore dhe ato hibride, si psh teknologjia HIT, japin rendimentin më të lartë deri tani. Rendimentet e larta kushtojnë më shumë, prandaj, do t’ju duhet të zgjidhni tipin e modulit në varësi të buxhetit tuaj. Energjia e prodhuar nga moduli FV do të varet nga nevojat tuaja; mblidhni  të gjithë ngarkesat që duhen furnizuar për të përcaktuar madhësinë dhe sasinë e moduleve FV ose kërkoni ndihmën e një eksperti.

Nëse ju shqetëson hapësira e vogël që mund të keni në dispozicion, kontrolloni dimensionet e modulit dhe përcaktoni se sa kWp moduli mund të prodhojë për çdo metër-katror të tij. Një tjetër mënyrë e thjeshtë për të krahasuar modulet FV është të llogarisni se sa do t’ju kushtojë të blini një Vat capactitet prodhues (Lekë/Wp ose €/Wp).

Përveç kapacitetit prodhues dhe rendimentit të modulit, më poshtë do të gjeni një listë pyetjesh që duhet t’ia drejtoni vetes, tregtarit ose kontraktorit për të përzgjedhuri modulin FV që i përshtatet më mirë nevojave tuaja:

  1. Si do të funksionojë moduli me kalimin e kohës?
    Moduli do të degradojë me kalimin e kohës, por ato nuk duhet të degradojnë shumë shpejtë. Module shumë të mira do të ruajën 90-95% të prodhimit gjatë 10 viteve të para dhe 80-85% për 15 vitet pasardhëse.
  1. Sa i fortë, i qëndrueshëm është moduli?
    Modulet FV janë të qëndrueshëm dhë kanë garanci mekanike. Por, për përdorime të veçanta, nëse dëshironi të keni mundësinë të shkelni mbi to ose nëse modulet rrezikojnë të bien pré e vandalizmit, duhet të rishikoni me kujdes këtë karakteristikë.
  1. Sa peshojnë modulet FV?
    Të gjithë modulet FV karakterizohen nga pesha e tyre e lehtë, kështu që pesha e tyre nuk përbën kurrë një problem. Kontrolloni peshën; modulet më të rënda mund të kërkojnë një sistem mbajtës më të fortë që kushton më shumë.
  1. Sa e lehtë është për të instaluar një modul?
    Në përgjithësi modulet FV janë të thjeshta për t’u instaluar dhe nuk kërkojnë shumë kohë instalimi. Por instalime të lehta e të thjeshta do të ulin shpenzimet dhe kohën e instalimit dhe do të ulin shpenzimet e punëtorisë.
  1. A është moduli estetikisht tërheqës? A do t’i përshtatet ai ndërtesës? A ju pëlqen ngjyra e modulit, ngjyra e kornizës, etj.?
  2. Ku do ta instaloni atë? Si është modeli i motit atje? Si janë kushtet e ambjentit?
    Në disa terrene në Shqipëri ku bie dëborë, ju duhet të konsideroni module FV që janë projektuar për të përballuar ngarkesën e borës dhe të mirëfunksionojnë nën të njëjtat kushte. Në agri-kulturë, modulet FV duhet të kenë kaluar testin e amoniakut. Gjithashtu, disa module FV janë projektuar të funksionojnë shumë mirë në kushte me shumë pak ndriçim; disa të tjera janë rezistente ndaj gërryerjes së kripës.
  1. Sa zgjat garancia e produktit? Çfarë mbulon garancia?
  2. Sa e mirë është kompania prodhuese? A e njihni markën? A i besoni markës? A e dini si funksionon kompania prodhuese? A investon kompania në kërkim-zhvillim?
    Kompanitë e integruara vertikalisht prodhojnë vetë çdo gjë nga nxjerrja e silicit, lingotat e silicit dhe vaferat ,tek qelizat FV dhe modulet, gjë e cila përfundon me një kosto më të ulët të produktit përfundimtar. Nëqoftëse dhe sa investon një kompani në kërkim-zhvillim është një tregues i rritjes së kompanisë, duke prodhuar produkte më të mira me një kosto më të ulët.
    Pavarësisht se sa dini rreth prodhuesit, ne ju rekomandojmë të shkoni në internet për të lexuar vlerësimet rreth produktit, për të dëgjuar prezantime në youtube, etj. Miku juaj inxhinier nuk do të jetë në gjendje t’ju ndihmojë për të gjetur produktin e duhur, sepse  fotovoltaikët në Shqipëri janë ekspozuar shumë pak dhe vetëm së fundi. Ka mungesë të përhapur njohurish, madje edhe nga inxhinierët elektrikë ose profesorët, të aspekteve praktike të moduleve FV, sepse nuk është e lehtë të përballosh ndryshimet e shpejta teknologjike dhe zhvillimet industriale. Mos u besoni shumë tregtarëve, sepse secili prej tyre do të përpiqet t’ju shesë produktin e vet: dilni dyqaneve dhe bëni pyetje. Vendimi final është i juaji.
  1. A është produkti i çertifikuar?
    Nëse po, ju do të vini re logot e të tretëve që e kanë kryer shërbimin e çertifikimit. Përpiquni të kuptoni cilat karakteristika të produktit ose shërbimit janë çertifikuar. Më poshtë do të gjeni disa logo të cilat i mbajnë modulet e mira ose shumë të mira. Klikoni mbi secilën logo për të kuptuar më shumë.
 TUV_Rheinland TÜV Rheinland®
Është një organizëm i pavarur çertifikimi; një furnitor global i shërbimeve të çertifikimit teknik dhe të sigurisë.  Modulet FV të testuara nga TÜV Rheinland® kanë kaluar një ose më shumë nga këto teste:

  • IEC 61730-1: Kushtet e ndërtimit
  • IEC 61730-2: Kualifikimi i sigurisë së moduleve FV – Kushtet e testimit
  • IEC 61215: Module FV tokësore silici kristalor – Kualifikimi i projektimit dhe miratimi i tipit
  • IEC 61646: Module FV tokësore Cipë-e-Hollë – Kualifikimi i projektimit dhe miratimi i tipit
  • IEC 62108: Module dhe Montime FV Përqëndrues (CPV) – Kualifikimi i projektimit dhe miratimi i tipit
  • IEC 61701 Testimi i moduleve FV për gërryerje në kushte lagështire dhe kripërash
  • ISO 12994 Testimi për rezistencë ndaj amoniakut

Për të kontrolluar çertifikimin e një moduli, shkoni online në adresën www.tuv.com dhe vendosni numrin identifikues ID të produktit.

 IEC International Electrotechnical Commission
IEC është një organizatë që përgatit dhe publikon standarte ndërkombëtare për teknologjinë elektrike, elektronike dhe ato të ngjashme me to. IEC nuk çertifikon asnjë lloj produkti. Disa prodhues vendosin këtë logo në mënyrë të kundërligjshme, në specifikimet teknike të produkteve të tyre për të treguar që ato janë sipas standarteve të IEC, gjë që përbën vetëm një vetë-deklarim.
ce Conformité Européenne
CE është një shenjë që tregon përputhshmëri të disa produkteve, përfshirë edhe ato elektrike, që shiten në Hapësirën Ekonomike Europiane. Tregon që produkti përputhet me legjislacionin dhe direktivat përkatëse Europiane. Marka CE është një skemë vetë-çertifikimi, që do të thotë që prodhuesi i’a shton vetë atë produktit nëqoftëse përputhet me një ose disa nga direktivat përkatëse.Kujdes: Mos e ngatërroni atë me një simbolikë mjaft të ngjashme “China Export” që do të thotë “Eksport Kinez”.
 ISO-Logo International Organization for Standardization
ISO® është një organizatë që zhvillon standarte ndërkombëtare që mund të zbatohen në mënyrë vullnetare nga kompanitë; nuk kryen çertifikime ose vlerësime përputhshmërie. Disa prodhues gabimisht përdorin këtë logo për të treguar që produkti i tyrë është prodhuar duke ndjekur standartet ISO®. Vetëm organizma të tretë mund të çertifikojnë nëse një produkt ose shërbim është sipas standarteve ISO®. Në këto raste ju nuk do të shikoni logon e ISO®, por shkrimin ISO të ndjekur nga disa numra, të cilat u korrespondojnë standarteve të ndryshme.
 Det_Norske_Veritas Det Norske Veritas
Aktualisht njihet si DNV GL, është  një  shoqëri udhëheqëse klasifikimi, që krijon standarte për ndërtimin dhe operimin e anijeve dhe strukturave larg bregut. Për më tepër është edhe në grupin e tre organizmave më të mirë çertifikues në botë që siguron konsulencë, çertifikata testimi për produkte dhe shërbime të industrisë së rinovueshme, gjithashtu.
 150px-Double_insulation_symbol.svg Class II equipment symbol
Në  industrinë e prodhimit të  elektro-shtëpiakëve, sipas klasave të mbrojtjes të përcaktuar nga IEC, ky simbol do të thotë që një pajisje elektro-shtëpiake është me materjal izolues të dyfishtë, që nuk lejon tensionet e rrezikshme ose goditjet elektrike gjë e cila arrihet përmes një lidhjeje me tokën.
 etleu Intertek Group plc
Intertek është një kompani shumëkombëshe inspektimi, testimi produktesh dhe çertifikimi. Siguron disa çertifikime, përfshirë ETL-Listed, që vlen për modulet fotovoltaike. Produktet që mbajnë këtë markë janë testuar nga Intertek dhe janë në përputhje me standartet e sigurisë të pranueshme në Amerikën e Veriut.
 UL Underwriters Laboratories Inc.
UL është një kompani e pavarur e konsulencës së sigurisë dhe çertifikimit. Ka zhvilluar standartet e veta, që përdoren kryesisht në industrinë e fotovoltaikëve në Amerikën e Veriut, të cilat përfshijnë:·         UL1703 Standarti për modulet dhe panelet fotovoltaike të sheshta·         UL61215 Module FV tokësore silici kristalor – Kualifikimi i projektimit dhe miratimi i tipit·         UL61646 Module FV tokësore Cipë-e-Hollë – Kualifikimi i projektimit dhe miratimi i tipit
 VDE-GERMANY-logo Verband der Elektrotechnik, Elektronik und InformationstechnikVDE
është Shoqata për Teknologjitë Elektrike, Elektronike dhe Informatike and shkencat, teknologjitë dhe përdorimet e ngjashme me to. E bazuar në Gjermani, është shoqata më e madhe tekniko-shkencore në Europë, e cila ndër të tjera, zhvillon standarte dhe rregulla të sigurisë, teston dhe çertifikon produkte sipas standarteve VDE dhe/ose IEC. Kontrolloni produktin që mban këtë logo në librarine online në www.vde.com.
 JET JET
JET, (Laboratorë të Teknologjisë, Sigurisë Elektrike & Mjedisore Japoneze), siguron shërbime testimi, përfshirë edhe skemën e çertifikimit JETPVm, që garanton besueshmërinë dhe sigurinë e moduleve FV duke kryer teste të funksionimit dhe sigurisë sipas standarteve ndërkombëtare dhe inspektimeve në fabrika. 
 pv cycle PV Cycle
Prodhuesit e moduleve FV që shesin produktet e tyre ne BE duhet të përmbushin kushtet e direktives WEEE Mbetje të Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike) (nga anglishtja Waste Electrical and Electronic Equipment) dhe kanë detyrimin ligjor të marrin mbrapsht dhe të riciklojnë modulet FV të dala jashtë përdorimit. PV Cycle është skema udhëheqëse europiane që përmbush këtë mision për anëtarët e saj.
 mcs MCS Microgeneration Certification Scheme
MCS është e bazuar në Mbretërinë e Bashkuar por është një skemë e njohur internacionalisht për sigurimin e cilësisë. MCS gjithashtu zhvillon standarte lidhur me mikroprodhimin e elektricitetit dhe nxehtësisë dhe çertifikon produkte dhe shërbime të lidhura me to.