Kontakt

SOLARON SH.P.K
Adresa: Bilal Golemi Nr. 12, Tiranë
Email: info@solaron.al; oferta@solaron.al
Tel: (+355) 42 376 527
Cel: (+355) 68 33 765 27
Shkarko Profilin e Kompanisë SOLARON sh.p.k.
Download Company Profile SOLARON sh.p.k.

Mëso më shumë

Sistemet Fotovoltaike

Një Sistem Fotovoltaik ose Sistem FV është tërësia e pajisjeve elektrike që përdorin teknologjinë fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë elektrike. Sistemi më i thjeshtë FV përbëhet nga një modul fotovoltaik që prodhon rrymë të vazhduar (DC) sapo ekspozohet ndaj rrezeve të diellit, një inverter diellor ose thjeshtë një inverter, që shndërron rrymën e vazhduar (DC) të prodhuar nga moduli në rrymë alternative (AC), pajisje mbrojtëse, çelësa dhe kabllo. Zakonisht një sistem FV përmban më shumë se një modul FV, tërësia e të cilëve të ndërlidhur në mënyre elektrike dhe të montuar mbi të njëjtën sipërfaqe formon një Sistem Fotovoltaik.

Madhësia e një Sistemi FV ndryshon nga disa Vat në mega-Vat. Pjesa më e madhe e sistemeve FV janë të lidhura me rrjetin energjetik, por mund të jenë edhe autonomë. Sistemet FV klasifikohen në varësi të lidhjes ose jo me sisteme e burime të tjera energjetike dhe mënyrës së lidhjes, në-rrjet, jashtë-rrjetit ose sistem FV hibrid. Pjesa më e madhe e sistemeve FV projektohen për të funksionuar në tension të ulët (TU). Vetëm pak sisteme FV të shkallës së gjerë (ferma FV, centrale FV, impiante FV, etj.) janë projektuar për t’u shndërruar në tension të mesëm ose të lartë (TM, TL).

Sistem FV Në-Rrjet ose Rrjet-Lidhur ose Ndërveprues– Ky është tipi më i përhapur i një sistemi FV. Është i lidhur me rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike dhe funksionon në paralel. Ky sistem përmban pajisjet kryesore si module FV dhe invertera dhe është i sinkronizuar me rrjetin. Në varësi të madhësise së sistemit FV, ai furnizon me energji pjesërisht ose plotësisht godinën. Në qoftë se sistemi FV prodhon më shumë energji se ajo e konsumuar në ndërtesë, pjesa e mbetur do të ushqejë rrjetin, duke e bërë pronarin përfitues. Në rastet e prodhimit të pakët të energjisë nga sistemi FV, si rezultat i instalimit të një sistemi të vogël, ose kushteve të papërshtatshme klimatike, ose gjatë natës, godina do të marrë energji nga rrjeti. Në raste ndërprerjesh energjie (për shkak defektesh ose mirëmbajtje) sistemi FV e ka të pamundur të furnizojë objektin, po të mos jenë kryer instalime të tjera të veçanta, siç është grupi i baterive. Pjesa më e madhe e sistemeve FV rrjetlidhura nuk përmbajnë bankë baterish. Vetëm në raste të ndërprerjeve të papërballueshme të energjisë, të defekteve tepër të shpeshta në rrjetin e shpërndarjes, ose të instalimit të pajisjeve speciale që kërkojnë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, është i këshillueshëm instalimi i një sistemi FV rrjetlidhur me bateri dhe/ose hibrid.

Sistem FV Jashtë-Rjetit ose I-Veçuar ose Autonom – Ky sistem mbështetet vetëm në teknologjinë fotovoltaike për të prodhuar elektricitet. Komponentët qëndrorë të një sistemi FV Jashtë-Rrjetit janë: module FV, kontrollues karikimi dhe bateri. Ky sistem mund të përmbajë një inverter në rastet kur e gjithë ngarkesa ose një pjesë e saj kërkon një burim furnizimi AC. Këto sisteme variojnë nga më të voglat si për shembull një shtyllë e ndriçimit rrugor deri tek furnizimi i fshatrave të tëra në viset më të largëta. Nevoja për sisteme të tilla lind kryesisht nga mungesa e një linje elektrike ose nga kostoja e lartë e ndërtimit të saj. Një rezidencë, një restorant ose një shtëpi pritëse në një vend të largët mund të funksionojnë tërësisht me një sistem FV të mirë-projektuar. Një sistem FV portabël mund të jetë një burim i sigurtë energjie nëpër kampe.

Përdorime të zakonshme, të efektshëm dhe ekonomikë te sistemeve FV jashtë-rrjetit në vende të izoluara ose jo përfshijnë: instalime reklamash në terrene të vështira, grupim ndriçuesish, ngritje ekspedite, sinjalistikë rrugore e portuale, sinjalistikë aeroportuale dhe hekurudhore, elektropompapa uji me energji fotovoltaike etj.

Sistem FV Hibrid

Një sistem FV hibrid bashkërendon prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët me forma të tjera të prodhimit të energjisë, qofshin ato të rinovueshme ose jo, si për shembull një turbinë ere ose një gjenerator nafte. Një sistem FV hibrid mund të jetë në-rrjet ose jashtë-rrjetit. Sistemi më i thjeshtë në-rrjet FV hibrid përfshin module FV, inverter dhe një bankë baterish për të siguruar elektricitet të vazhdueshëm. Njëkohësisht, një godinë e izoluar mund të furnizohet nga një sistem FV dhe gjenerator, i cili ndizet automatikisht në mbrëmjë ose në mot me ré të dendura. Fotovoltaikët inkorporohen gjithashtu në rulota, barka, jahte. Përdorime tepër të dobishme të sistemeve FV hibride mund të gjenden në agro-biznes, stacione të telefonisë së lëvizshme ose ne stacione të transmetimit të të dhënave. Elektropompa Uji me Energji Fotovoltaike

Përdorim shumë të përhapur gjejnë sistemet fotovoltaike jashtë-rrjetit në agrikulturë dhe blegtori, nëpërmjet elektropompave të ujit me energji fotovoltaike (të njohura edhe si pompa uji diellore), të cilat furnizohen me rrymën elektrike e prodhuar nga modulet FV. Ato përdoren për vaditje ose aktivitete të tjera rezidenciale dhe zbavitjeje, si për shembull në pishina. Një elektropompë me energji fotovoltaike përdor rrymën e vazhduar (DC) të prodhuar nga modulet FV, që rezulton në rendiment më të lartë të sistemit krahasuar me sistemet FV konvencionalë që përfshijnë një inverter. Ndryshe nga turbinat e erës të cilat gjithashtu mund të përdoren për të furnizuar një pompë por që vendosen vetëm në zona të caktuara me shumë erë, pompat diellore të ujit mund të vendosen kudo nëpër Shqipëri, ku ka diell. Një tjetër avantazh është se elektropompat e ujit me energji fotovoltaike do të funksionojnë më shumë gjatë sezonit veror dhe gjatë ditës, atëherë kur uji është më i nevojshëm. Elektropompat e ujit me energji fotovoltaike janë të lehta për t’u instaluar, nuk kanë kosto mirëmbajtje, nuk lëshojnë gaze të dëmshëm dhe funksionojnë për një kohë të gjatë, ndryshe nga gjeneratorët, që kërkojnë mirëmbatje të vazhdueshme, karburant, lëshojnë gaze ndotëse dhe bëjnë zhurmë. Elektropompat e ujit me energji fotovoltaike mund të jenë të lëvizshme, të volitshme për përdorim në vende të ndryshme gjatë sezoneve. Fotovoltaikët në Ferma dhe Sera

Stallat dhe serat përmbajnë hapësira të mëdha, me mbulesa të papërdorura, të cilat fare mirë mund të shfrytëzohen për të instaluar sisteme FV, të cilat prodhojnë energji elektrike. Energjia elektrike e prodhuar mund të përdoret për qëllime vaditje, ndriçimi, ngrohje, ftohje, për të ushqyer një kompjuter ose çdo pajisje tjetër elektrike. Stacionet e Transmetimit të të Dhënave

Sistemet FV hibride përdoren gjerësisht për të furnizuar me energji elektrike stacione të izoluara telekomunikacioni, stacione radio-televizioni, stacione meteorologjike, ose çdo tip tjetër stacioni të transmetimit të të dhënave. Të ndodhura në zona të izoluara, në lartësi të mëdha, të mirë-ekspozuara ndaj diellit dhe pa burime hijesh, përdorimi i fotovoltaikëve në këto stacione është ideal. Një tjetër faktor kryesor që nxit përdorimin e fotovoltaikëve në stacione të transmetimit të të dhënave është mungesa e lidhjes me rrjetin ose cilësia e dobët e tij. Një sistem FV hibrid mund të projektohet të furnizojë me energji gjatë mungesës së energjisë nga rrjeti përmes një sistemi baterishë. Tek stacionet që funksionojnë me gjenerator 24 orë në ditë - 7 ditë në javë, pra aty ku nuk ekziston një linjë elektrike, një sistem FV mund të ulë ose të eleminojë përdorimin e gjeneratorit. Si pasojë, do të kursehen shpenzimet vjetore të lidhura me mirëmbajtjen e planifikuar dhe të paplanifikuar të gjeneratorit, shpenzimet e karburantit të gjeneratorit, shpenzimet e transportit të personelit, do të eleminonohen ose zvogëlohen humbjet e biznesit si pasojë e ndërprerjes së energjisë (për arsye defektesh ose mirëmbajtje) dhe do të furnizojë me energji elektrike të pastër, të rinovueshme që është ideale për mjedisin. Një sistem FV hibrid përbën një zgjidhje shumë të mirë për çdo stacion të dhënash të largët në çdo vend të Shqipërisë, por një studim fizibiliteti profesional që vlerëson skenare të ndryshme është tepër i rëndësishëm.

Sistem Fotovoltaik Diell-Ndjekës

Një sistem fotovoltaik diellor ndjekës është një strukturë e montuar ku mbështeten modulet FV, e cilat në mënyrë të vazhdueshme përshtat orientimin e saj për të marrë maksimalisht rrezatimin diellor.

Janë dy tipe kryesore të paneleve diellore ndjekëse një-aksiale dhe dy-aksiale. Ndjekësit një-aksial ndjekin trajektoren e diellit nga lindja në perëndim, duke prodhuar deri në 25% më shumë energji. Teorikisht shtrirja e tyre mund të jetë nga -90 në +90, por praktikisht përdoren shtrirje midis -45 dhe +45, në varësi të vendndodhjes. Ndjekësit dy-aksialë ndjekin trajektoren e diellit duke lëvizur nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug duke mbuluar një shtrirje më të gjerë, por nuk janë të këshillueshme për Shqipërinë. Shtimi në energjinë e prodhuar nga ndryshimi i sistemit nga një-aksial në dy-aksial është i papërfillshëm kur krahasohet me ndryshimin e sistemit nga i-fiksuar në një-aksial. Përdorimi i paneleve FV me sistemin ‘Ndjekës’ (Tracking) është më i shtrenjtë për t’u instaluar dhe për t’u mirëmbajtur dhe në mënyrë paradoksale konsumon energjinë e prodhuar nga modulet FV. Këto sisteme gjithashtu kërkojnë më shumë hapësirë dhe sipërfaqe për t’u instaluar krahasuar me sistemet e fiksuara. Panelet diellore ndjekës janë më efektivë në vende me shumë pak ré.

Inverterat Diellorë

Në inxhinierinë elektrike, një inverter fuqie, një inverter diellor ose thjeshtë një inverter, është një pajisje e përdorur për të kryer shndërrimin e rrymës nga e vazhduar (DC) e prodhuar nga modulet FV ne atë alternative (AC) e përdorur nga familjarët, bizneset dhe industria. Parametrat më të rëndësishëm të një inverteri janë madhësia dhe rendimenti i tij. Madhësia e inverterit varet nga madhësia e sistemit FV, e cila nga ana tjetër është e lidhur me sasinë e energjisë që sistemi duhet të prodhojë. Madhësia e një sistemi FV përcakton madhësinë e inverterit; sa më i madh sistemi FV, aq më e madhe madhësia e inverterit ose numri i inverterave të kërkuar. Rendimenti i inverterit është raporti i energjisë AC të prodhuar me energjinë DC të ushqyer; sa më i lartë rendimenti i inverterit, aq më i mirë është inverteri. Rendimente të larta zakonisht kushtojnë më shume. Tek inverterat e mire ose shumë të mirë, rendimenti i tyre duhet të kalojë 99%.

Autoriteti i rrjetit dhe legjislacioni përkatës përcakton detyrimet dhe kushtet kryesore qe duhet të plotësojë një inverter si tensioni, frekuenca, mbrojtje anti-ishullzim. Inverterat ndryshojnë në varësi të tipit të sistemit FV: ato mund të jenë ndërveprues (me rrjetin) ose të veçuar, njëfazorë ose trefazorë.

MPPT, (nga anglishtja Maximum Power Point Tracking) ndjekje e pikës së maksimumit të fuqisë, është një karakteristikë që optimizon funksionimin e disa inverterave në sistemet FV në-rrjet ose karakteristikë e kontrolluesit të karikimit në sistemet FV jashtë-rrjetit. Gjatë ditës dhe stinëve, rrezatimi dhe temperatura e modulit do të ndryshojnë, duke përftuar nivele të ndryshme të tensionit dhe rrymës, e si rezultat edhe prodhim të ndryshueshëm energjie. Përmes një algoritmi, qarku MPPT kontrollon në mënyrë dixhitale dhe garanton që moduli funksionon nën tensionin që prodhon fuqinë më të madhe (në kulmin e kurbës I-V). Inverterat me disa MPPT të pavarur në rrjet prodhojnë 20% - 25% më shumë energji krahasuar me inverterat pa këtë karakteristikë, gjë e cila vjen përkundrejtë një kostoje më të lartë. Parametra të tjerë të një inverteri për t’u konsideruar janë përmasat fizike, mundësitë e montimit, mbrojtja ndaj hyrjeve (IP), emetimi i zhurmave, mundësitë e monitorimit, çertifikimi, garancia, marka, etj. Sikurse çdo pajisje elektrike, inverteri do te konsumohet me kalimin e kohës, gjë që shkakton uljen e rendimentit të tij. Konsultoni specifikimet teknike të prodhuesit për të kuptuar se si inverteri do të zhvlerësohet. Jetëgjatësia e inverterave mund të shkojë deri në 10 vjet, prandaj është e rëndësishme të shqyrtohet ndryshimi i inverterit të paktën një herë gjatë jetës së sistemit FV.

Hijet

Hijet janë një faktor kryesor në sasinë e elektricitetit të prodhuar nga modulet FV, dhe disa e konsiderojnë atë më të rëndësishëm se orientimi i moduleve; prandaj, rëndësi e veçantë i duhet dhënë hijeve përpara instalimit të moduleve FV. Hija ndryshon projektimin e saj në varësi të orës së ditës dhe ditës së vitit. Burime hijesh janë objekte në çati ose tarracë si oxhakët, antenat e thjeshta dhe ato satelitore, depozitat e ujit. Është e mundur gjithashtu edhe krijimi i hijes nga vetë ndërtesa kur ka disnivele. Hijet mund ta kenë prejardhjen nga objekte rrethuese si për shembull ndërtesa më të larta, pemë, shtylla dhe kulla. Hijet e ndërsjellta midis moduleve, që përcakton edhe largësitë midis tyre, duhet shqyrtuar gjatë fazës së projektimit.

Një modul FV i zënë nga hija pjesërisht, nuk do të ndikojë vetëm prodhimin e atij moduli, por prodhimin e të gjithë sistemit. Mbulimi nga hija, qoftë edhe e pjesshme e një qelize të modulit do të ulë tensionin e të gjithë lidhjes, si rrjedhim edhe më pak elektricitet të prodhuar nga inverteri, sepse ajo qelizë vepron si një “rezistencë”. Sipas një studimi të 2010-ës “hijet e vetëm një qelize të një moduli FV mund të zvogëlojnë energjinë e prodhuar me deri 75%.” Si pasojë, në disa raste është e këshillueshme të instalohet një modul më pak që do të rrezikohej nga hija, për të përftuar të njëjtin prodhim. Një profesionist i fotovoltaikëve është në gjendje të vlërësojë të gjithë burimet e hijeve rreth e rrothull dhe mbi sipërfaqen kur është planifikua të instalohen modulet FV dhë të përcaktojë vendndodhjen e duhur për prodhim optimal.

Tarifa Fikse e Shitjes FiT

Tarifa Fikse e Shitjes FiT (anglisht Feed-in-Tariff) është një mekanizëm rregullator me nismë shtetërore për të përkrahur dhe nxitur investimet në burimet e energjisë së rinovueshëm. Përmes kësaj reforme, prodhuesve të elektricitetit nga burime të rinovueshmë energjie, si teknologjia e fotovoltaikëve, u ofrohen kontrata afatgjata që garantojnë se një çmim elektriciteti i caktuar për kWh i paguhet atyre nga operatorët e sistemit të rrjetit për energjinë e ushqyer në rrjet, sikurse është aprovuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Kushte Standarte Testimi STC

Kushte Standarte Testimi STC (anglisht Standard Test Conditions) është mënyra e standartizuar e matjes së fuqisë elektrike që një modul FV është i aftë të prodhojnë nën rrezatimin prej 1000W/m2, temperaturë 25C të modulit dhe 1.5AM të spektrit diellor. Fuqia që është e aftë të prodhojë çdo modul fotovoltaik, e deklaruar nga prodhuesi i saj në etiketën e produktit dhe në specifikime teknike, është e matur pikërisht në këto kushtë standarte të përbashkëta testimi.

Fotovoltaikët në Botë

Fotovoltaikët nuk janë një teknologji e re. Një sasi e konsiderueshme buxheti është investuar për kërkim-zhvillimin e tyre nëpër laboratorë akademike dhe industrialë. Fillimisht të konsideruara të shtrenjta dhe pa rendiment, zhvillimet e fundit teknologjike, investimet në industri dhe politikat qeveritare e kanë shndërruar këtë parashtresë në një mit. Kriza financiare globale e 2011-2012 ndryshoi tregun e fotovoltaikëve një herë e përgjithmonë: U rrit më shpejtë nga ç’pritej, u konsolidua dhe çmimet e moduleve FV ranë me 50% në të gjithë botën. Zhvillimi i industrisë së fotovoltaikëve u lëvrua në Europë, e cila ende llogaritet të mbajë pjesën më të madhe të tregut botëror të fotovoltaikëve, 75% të tij. Gjermania është ende shteti me kapacitetin kumulativ më të lartë në Europë, e ndjekur nga Italia dhe Spanja. Në BE, 51GW të kapacitetit fotovoltaik të instaluar përbën 2% të elektricitetit dhe 4% të kërkesës gjatë pikut. Në rang global, SHBA, Japonia dhe Kina ndjekin Europën për sa i takon kapacitetit kumulativ. Pesë prodhuesit më të mëdhenj të fotovoltaikëve në botë, që zotërojnë 50% të tregut, janë katër prodhues nga Kina dhe një nga SHBA. Tregu i fotovoltaikëve është ende i nxitur nga politikat. Politikat qeveritare do të vazhdojnë të ndryshojnë drejtimin nga shtyrja për vetë-konsum të energjise së fotovoltaikëve në investime masive fotovoltaike. Pavarësisht, elektriciteti nga fotovoltaikët së shpejti do të bëhet një burim kryesor elektriciteti, që i detyrohet konkurrencës së saj krahasuar me të gjithë burimet e tjera të energjisë.

Ku mund ti vendos panelet diellore?

Modulet FV mund të montohet në çdo vend të ekspozuar në diell për orë të gjata.Zakonisht ato vendosen në çati ose tarracë, meqenëse këto hapësira janë zakonisht të lira dhe të papërdorura për aktivitete të tjera. Moduled FV gjithashtu vendosen në tokë, të montuara mbi një strukturë të përshtatshme, të pozicionuara në mënyre optimale për të siguruar ekspozim maksimal ndaj diellit. Në vendndodhje që nuk ndriçohen mirë, modulet FV mund të montohen në shtyllë. Kohët e fundit, fotovoltaikët e integruar në ndërtesë po bëhen tepër të njohura. Ato përdoren për të veshur fasada, për të bërë hije në objekte rezidenciale ose tregtare, madje vendosen në xhamat e dritareve në formë laminati. Në raste të tilla, bashkëpunimi me një arkitet është i rëndësishëm për të ruajtur aspektin estetik të ndërtesës. Tjegullat FV janë gjithashtu një zhvillim teknologjik. Ato instalohen në vend të tjegullave të zakonshme, duke prodhuar elektricitet dhe duke mbrojtur objektin nga agjentët atmosferikë. Ato nuk bien në sy dhe janë një zgjedhje e shkëlqyer për ata që nuk preferojnë pamjen e moduleve FV standarte. Janë praktike për t’u instaluar gjatë ndërtimit të objektit ose gjatë restaurimit të çatisë.

Si ti vendos panelet diellore?

Orientimi i moduleve FV në drejtim të Jugut sjell ekspozimin maksimal në diell; kështu qe Jugu përbën orientimin më të përgjithshëm dhe më të preferuar. Në disa raste, orientimi Lindje-Perëndim i moduleve është i këshillueshëm. Animi i moduleve FV (këndi midis modulit dhe vijës së horizontit njohur si kënd inklinimi ose pjerrësimi) është kritik për prodhimin maksimal të energjisë. Ky kënd është i veçantë për çdo vendndodhje në Tokë; këndi i inklinimit të një moduli FV në Shkodër do të jetë i ndryshëm nga këndi i inklinimit të të njëjtit modul në Vlorë. Edhe brenda të njejtit qytet këndi i animit do të ndryshojë. Konsultimi me një profesionist lidhur me orientimin dhe animin e modulit FV është kritik; këto dy faktorë do të përcaktojnë nëse instalimi i një sistemi FV do të jetë fitimprurës ose jo. Modulet FV nuk ndikohen nga agjentët atmosferike. Shiu nuk ndikon funksionin e tyre; në të vërtetë, shiu përmirëson rendimentin e tyre duke e mbajtur të pastër sipërfaqen e modulit. Era nuk përbën kurrë një problem, me kusht që ato të jenë montuar në mënyrë të saktë, dhe të jenë kryer studime aero-dinamike specifikisht për objektin dhe vendndodhjen e tij. Nga ana tjetër, temperatura e ambientit ndikon në funksionimin e tyre. Temperatura tepër të larta do të zvogëlojnë rrymën e prodhuar nga moduli FV. Si rezultat, është i rëndësishëm konsultimi me një specialist në gjendje të përcaktojë shtrirjen e duhur të moduleve FV për t’u ftohur në mënyrë natyrale.

Si mund të përfitoj nga fotovoltaikët në shtëpinë time?

Një modul FV ju furnizon me energji elektrike kudo, thjeshtë duke u ekspozuar në diell. Në shtëpi, ju mund të instaloni module FV për ta prodhuar vetë energjinë elektrike me një kosto shumë më të ulët nga ajo e blerjes së energjisë nga operatori i rrjetit dhe për pasojë, të zvogëloni faturën tuaj të energjisë elektrike. Për më tepër, kurdo që fotovoltaikët prodhojnë energji që ju nuk e konsumoni, ajo eksportohet në rrjet automatikisht. Fotovoltaikët janë të larmishëm për sa i takon teknologjisë, dimensioneve, formës, ngjyrës dhe disa madje mund të inkorporohen me shtëpinë tuaj, si tjegullat FV ose fotovoltaikët e tejdukshëm në formë laminati që vendosen në xhamat e dritareve, prandaj ju e keni të mundur të gjeni në treg çdo produkt që i përshtatet nevojës dhe shijes tuaj personale. Mënyra më e përhapur e përdorimit të moduleve FV është duke i montuar në çati ose tarracë. Për një pamje më teknologjike të shtëpisë tuaj, mund të zgjidhni t’i vendosni edhe në fasadë. Një shtësë e këndshme dhe e thjeshtë për vilën tuaj do të ishte edhe një tendë fotovoltaike për aktivitetet tuaja në natyrë, ose një strukturë e thjeshtë me module FV për të mbrojtur makinën tuaj kur është e parkuar. Ndriçimi i ambientit tuaj të jashtëm për arsye dekori ose sigurie mund të mbulohet fare mirë dhe thjeshtë me fotovoltaikët, me përmasa nga disa centimetra, në shtylla disa metra të larta. Të gjitha këto investime që mund t’i bëni shtëpisë tuaj private me fotovoltaikët, rrisin vlerën e shtëpisë tuaj nëse vendosni ta shisni atë në një moment të caktuar në të ardhmen.

Si mund të përfitoj nga fotovoltaikët në biznesin tim?

Mjaft më me çmimet në rritje të energjisë elektrike! Tashmë ju mund ta prodhoni vetë energjinë elektrike që konsumoni. Çdo biznes ka nevojë për energji elektrike në mënyrë të vazhdueshme; në fund të muajit, bizneseve u mbetet pët të paguar një faturë elektrike tepër e lartë, që sa vjen e rritet. A e dinit që ju mund të zvogëloni faturën tuaj elektrike duke instaluar një sistem fotovoltaik? Ju duhet vetëm një sipërfaqe e ekspozuar në diell. Një tarracë, çati e tipeve të ndryshme, një fasadë që sheh jugun, tendë, kopësht ose një hapësirë e lirë për të prodhuar vetë energji elektrike të pastër, pa pagesë, për vite të tëra në të ardhmen.

Nëse ju jeni pronarë ose planifikoni të jeni pronarë të ndonjë prej ketyre bizneseve, ju thjeshtë mund të prodhoni vetë energjinë elektrike.

- fabrikë - impiant - qendër tregtare - hotel - restorant - garazh - magazina - serë - fermë - vreshtë - park argëtimi - parking A mbështetet biznesi juaj te përdorimi i një gjeneratori?

A keni gjetur vendin ideal për të ndërtuar biznesin tuaj, por që është shumë larg shtyllës elektrike? A ju nevojitet të furnizoni një objekt/ngarkesë që kërkon ndërtimin e një linje elektrike tepër të shtrenjtë? A planifikoni të ndërtoni një tendë ose strehë? Ne mund të kemi një zgjidhje më të thjeshtë dhe të shpejtë për ju. Përdorni Llogaritësin SOLARON

Cilat janë Përfitimet e Përdorimit të Fotovoltaikëve?

Fotovoltaikët janë një burim energjie i rinovueshëm. Ato prodhojnë energji elektrike falas nga dielli për të paktën 20 vitet e ardhshme. Elektriciteti i prodhuar nga fotovoltaikët mund të furnizojë një shtëpi, një biznes dhe madje mund t’i shitet ose shkëmbehet me operatorin e rrjetit. Efekt tepër pozitiv i përdorimit të moduleve FV është se ato nuk prodhojnë gaze të efektit serë dhe nuk prodhojnë mbetje kimike, ndryshe nga të gjithë format e tjera të prodhimit të energjisë. Ato nuk përdorin as ujë dhe asnjë formë karburanti; thjeshtë dhe vetëm rrezet natyrale të diellit. Ato mund të instalohen ngado ku ka diell, praktikisht kudo. Janë shumë të thjeshta për t’u instaluar dhe thuajse nuk kërkojnë mirëmbajtje. Modulet FV mund të integrohen lehtësisht në çfarëdo ndërtese. Ato nuk prodhojnë ndotje akustike dhe kanë jetëgjatësi prej më shumë se 20 vjetësh. Fotovoltaikët ofrojnë më shumë besueshmëri se çdo formë tjetër e prodhimit të energjisë për shkak të qëndrueshmërisë së tyre dhe teknologjisë që i operon. Meqenëse përdoren në nivel lokal, përdorimi i tyre eleminon humbjet e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë. Për më tepër, ato prodhojnë sasinë më të madhe të elektricitetit gjatë muajve të verës, kur kërkesa për elektricitet është e lartë dhe kur hidroçentralet tona prodhojnë më pak elektricitet. Gjithashtu, ato nxjerrin në pah imazhin e pronës, rrisin vlerën e saj dhe ofrojnë fleksibilitet në lidhje me investimin për shkak se sistemi është lehtësisht i zgjerueshëm. Gjatë dekadës së fundit çmimet e fotovoltaikëve kanë rënë ndërsa rendimenti i tyre ka ardhur duke u përmirësuar, duke i bërë ato një zgjidhje praktike. Qeveritë kanë krijuar skema të ndryshme për të inkurajuar kërkim-zhvillimin dhe instalimin e kësaj forme të energjisë së rinovueshme. Vendet e zhvilluara janë duke inkurajuar përdorimin e fotovoltaikëve duke ulur taksat dhe dhënë incentiva të ndryshme, dhe Shqipëria është duke ndjekur ngadalë hapat e tyre. Ju mund t’i përdorni modulet FV për të furnizuar shtëpinë ose biznesin tuaj me energji elektrike të pastër, pra ta prodhoni vetë energjinë me kosto më të ulët. Për pasojë, më pak energji elektrike do të blihet nga operatori, gjë që zvogëlon faturën e përmuajshme elektrike. Duke e prodhuar vetë energjinë elektrike, ju do të bëheni më pak të varur nga çmimet në rritje të energjisë elektrike.

Kur funksionon një modul fotovoltaik?

Një modul FV duhet ekspozuar nën rrezet direkte të diellit për të prodhuar energjinë maksimale. Prodhimi i energjisë nga moduli FV varet shumë nga mënyra e pozicionimit të tij në lidhje me diellin; prandaj, sasia e energjisë qe ai do të prodhojë varet nga orari i ditës dhe nga stina. Duke supozuar që një modul FV është montuar në mënyrë optimale, ai do të prodhojë sasinë më të madhe të energjisë elektrike midis orës 9 të mëngjesit dhe 3 të drekës, dhe do të arrijë pikun rreth orës 12 në mesditë, kur dielli ndodhet direkt mbi të. Prodhimi i një moduli FV varet gjithashtu edhe nga qartësia e qiellit. Retë gri të dendura e vështirësojnë depërtimin e rrezeve të diellit për të arrirë sipërfaqen e modulit. Ndotja e ajrit gjithashtu ndikon prodhimin e modulit FV, gjë që është e dukshme ne vënde me nivel të lartë ndotje. Në Shqipëri, ndikimi i ndotjes së ajrit është i papërfillshëm në zonat urbane dhe nuk ekziston në zona të tjera.

Ku ndryshon moduli fotovoltaik nga paneli fotovoltaik dhe nga sistemi fotovoltaik? Sistemi FV përbëhet nga një tërësi modulesh fotovoltaike, të montuara në një strukturë të posaçme në të njëjtin plan. Një sistem fotovoltaik përbëhet nga module fotovoltaike dhe së paku një tjetër pajisje të natyrës elektrike, që mund të jetë një inverter, një sistem baterish, një ndriçues, një gjenerator, kabëll dhe aksesorë elektrike.

Përse shërben inverteri?

Inverteri është një pajisje elektrike e cila konverton rrymën e vazhduar DC të prodhuar nga moduli FV në rrymë alternative AC të kërkuar nga pjesa më e madhe e pajisjeve që përdorim.

A do të funksionojë një sistem FV kur ka ré? Çfarë ndodh gjatë natës?

Po, por sasia e energjisë e prodhuar do të jetë më pak në një ditë me re sesa ne një ditë të shndritshme me diell dhe qiell të pastër blu. Retë pengojnë rrugën e diellit për në tokë dhe prandaj, ulin sasine e ndriçimit që ‘godet’ siperfaqen fotovoltaike. Disa module FV janë projektuar posaçërisht për mot me ré por përkundrejtë një çmimi më të lartë. Fatmirësisht, në Shqipëri ne jemi të pozicionuar në mënyrë ideale për të marrë mesatarisht 3400 orë-diell në vit, që karakterizohen nga qartësi e lartë e qiellit dhe relativisht ndotje e ulët e ajrit. Gjatë natës modulet FV nuk prodhojne energji elektrike.

A do të prodhojë të njëjtën sasi energjie elektrike sistemi FV çdo muaj?

Jo. Kjo për arsye të pozicionit të ndryshueshëm që ka dielli gjatë vitit. Në Hemisferën Veriore dielli është më pranë tokës në qershor, kur prodhohet edhe sasia më e madhe e energjisë elektrike nga sistemi FV. Sasia vazhdon të ulet ndërsa i afrohemi vjeshtës dhe dimrit. Sasia e energjisë arrin minimumin e mundshëm në 21 dhjetor me solsticin e dimrit, kur dita është më e shkurtra dhe nata më e gjata e vitit për shkak të lartësisë më të ulët të diell në qiell. Që nga kjo ditë, dielli fillon t’i afrohet sipërfaqes së tokës dhe fotovoltaikët prodhojnë një sasi të shtuar elektriciteti derisa arrijnë pikun në 21 qershor, ditë qe korrespondon me pozicionin më të lartë të diellit në qiell. Një tjetër faktor që ndikon rendimentin e një sistemi FV janë hijet. Hijet gjithashtu ndryshojnë me çdo orar të ditës dhe sipas stinës. Imagjinoni se si hija e një peme ndryshon në dimri kur të gjithë gjethet bien dhe në pranverë kur fillojn të lulëzojë. Analizimi i hijeve është vendimtar gjatë fazës së projektimi të një sistemi FV; ekspertët janë në gjendje të analizojnë të gjitha burimet, të parashikojnë sjelljen e tyre dhë të optimizojë vendosjen e modulit.

A mbulon një sistem FV të gjitha kërkesat e mia për energji elektrike?

Me shumë mundësi, jo. Një sistem FV përdoret në bashkëveprim me energjinë e furnizuar nga rrjeti. Sistemi FV nuk furnizon me energji elektrike gjatë natës dhe do të furnizojë më pak gjatë ditëve me ré dhe dimrit. Por, ekzistojnë përdorime të tjera të sistemeve fotovoltaike që funksionojnë pa lidhje me rrjetin, siç janë Sistemet FV Jashtë-Rrjetit dhe Sistemet FV Hibride.

A do të funksionojë sistemi FV në rast se më shkëputet energjia?

Në përgjithësi, jo, nuk do të funksionojë. Në rast se keni instaluar një sistem FV në-rrjet dhe ndërpritet energjia për çfarëdo shkaku, për arsye sigurie sistemi juaj FV menjëhere dhe automatikisht do të izolohet duke mos ju furnizuar me energji elektrike. Po të mos keni të instaluar një sistem baterish (ose UPS), ju nuk do të furnizoheni me energji elektrike nga sistemi FV në-rrjet gjatë shkëputjes së saj.

A janë të shtrenjta modulet FV?

Janë shumë më të lira nga ç’i mendoni. Në tregun e fotovoltaikëve ju do të gjeni module të çmimeve të ndryshme, në varësi të tipit, rendimentit, madhësisë, markës, etj. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se gjatë dekadës së fundit çmimet e moduleve FV kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. Nga ana tjetër, çmimet e energjisë elektrike kanë ardhur duke u rritur dhe parashikohet të rriten edhe më shumë. Kjo është arsyeja kryesore që ju duhet të investoni për një sistem fotovoltaik. Një sistem FV do t’ju kushtojë paraprakisht, por do t’ju kursejë para gjatë 20 viteve të ardhshme, për këtë arsye konsiderohet një investim. Në një botë që është më shumë e shqetësuar për mjedisin dhe zhvillimit të qëndrueshëm, energjia e rinovueshme e fotovoltaikëve është përgjigjia.

Në cilën stinë është më mirë ta instaloj sistemin FV?

Ju mund të instaloni një sistem FV në çdo moment të vitit. Parashikoni disa ditë vonesë në punime gjatë vjeshtës dhe dimrit për shkak të shirave, gjatë të cilave elektriçistët nuk këshillohen të punojnë. Ne ju rekomandojmë të filloni të shqyrtoni instalimin e një sistemi FV dhe të na kontaktoni gjatë vjeshtës ose dimrit, në mënyrë që nësë vendosni të vazhdoni/përparoni me instalimet, t’i merrni maksimumin muajve të pranverës dhe verës. Ne ju rekomandojmë të konsultoni një profesionist. Inxhinierët dhe teknikët me eksperiencë në fushën e fotovoltaikëve do t’ju paraqesin listën e plotë të shpenzimeve dhe kursimeve.

Dua të instaloj një sistem FV në objektet e mia, por si mund të sigurohem që do të më kursejë pará? Për t’u siguruar që sistemi FV që instaloni në shtëpi apo në ambjente biznesi është fitimprurës, duhet të bëni disa llogari. Duhet të keni një pamje të plotë dhe të qartë të sasisë së energjisë që jeni duke konsumuar. Grumbulloni të gjitha faturat e energjisë elektrike të vitit të fundit. Përmblidhni në një tabelë sasinë e kWh mujorë dhe çmimin përkatës. Mendohuni mirë nëse planifikoni t’i shtoni një tjetër pajisje shtëpisë tuaj ose një tjetër linjë prodhimi biznesit tuaj në të ardhmen. Nga ana tjetër, listoni të gjitha shpenzimet që lidhen me instalimin e një sistemi FV: koston e blerjes së të gjithë pajisjeve dhe materjaleve, koston e instalimit të tyre dhe koston e ulët të mirëmbajtjes së tyre në kohë. Ju duhet gjithashtu të keni parasysh se si objekti juaj është i orientuar në lidhje me diellin, ku dhe si do të orientohen modulet në objekt, sa kWh pritet që modulet të prodhojnë, sa është vlera e këtyre kWh, etj. Shumica e njerëzve nuk zotërojnë njohuritë teknike për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve kryesore; prandaj, ju duhet ndihma e një eksperti fotovoltaik. Ekspertët e SOLARON do të bisedojnë me ju për të kuptuar nevojat tuaja, do të kontrollojnë mënyrën se si ju konsumoni energji, do të inspektojnë dhe vlerësojne objektin dhe rrethinat e tij, do të kryejnë matje dhe do të hartojnë studime. Ndër të tjera, studimi do të tregojë orientimin optimal të modulit, sasinë e elektricitetit që pritet të prodhohet, analiza financiare, etj.

A janë fotovoltaikët një investim i mirë?

Ju do të dëgjoni përgjigje kontradiktore për këtë pyetje. Përgjigjia e duhur është “varet”. Nëse sistemi është projektuar në mënyrën e duhur, nëse të gjitha kursimet janë llogaritur dhe të gjitha shpenzimet janë parashikuar dhe ju jeni dakord me ROI dhe periudhën e kthimit mbrapsh të investimit, atëherë pergjigjia e duhur është “Po”. Sistemet FV janë një investim. Ju duhet të kuptoni se sa energji elektrike prisni të prodhoni prej tyre. Duhet të bëni më të mirën të përafroni sasinë e elektricitetit që mund të prodhojë. Në raste të investimeve të mëdha, ju duhet të kuptoni edhe kushtet e Kontratës së Lidhjes me Rrjetin PPA, kryesisht Tarifën Fikse të Shitjes FiT dhe afatet e saj.

Si mund të jem i sigurtë që po marr atë për të cilën po paguaj?

Tregu shqiptar mund të jetë i ngatërruar; gjetja e profesionistëve me eksperiencë dhe kontraktorëve të besueshëm nuk është një punë e thjeshtë. Tregu shqiptar është ende shumë i panjohur me fotovoltaikët; prandaj, ju do të dëgjoni opinione të ndryshme nga profesionistë, jo-profesionistë dhe pseudo-profesionistë në lidhje me rendimentin e moduleve FV. Ne ju rekomandojmë që ju të pyesni sa më shumë persona, profesionistë, kompani dhe të këshilloheni me internetin përpara se të vendosni nëse fotovoltaikët mund të përbëjnë një zgjidhje për ju ose një mundësi investimi. Lexoni me kujdes specifikimet teknike dhe analizat financiare. Mos i besoni askujt që ju premton rendiment të modulit prej 30%. Rendimente të tilla të qelizës FV (ende jo të modulit) janë duke u krijuar dhe testuar nëpër laboratore dhe nuk do të hyjnë në treg edhe për vite të tëra.

Çfarë do të thotë kWp? Çfarë është kWp?

kWp (lexo: kilo-Vat-pik, nga anglishtja kilo-Watt-peak) e paraprirë nga një numër, përshkruan sasinë e energjisë elektrike që një modul PV është i aftë të prodhojë nën Kushte Standarte Testimi STC. Sasia reale e prodhuar nga një modul FV në Temperaturën Normalë të Funksionimit të Qelizës NOCT (nga anglishtja Normal Operating Cell Temperature) do të jetë më e vogël. Kjo njihet gjithashtu si Fuqia Nominale ose Rated Power e modulit FV. Madhësia e një sistemi FV matet gjithashtu me kWp dhe është shuma algjebrike e fuqive nominale të të gjitha moduleve, gjë që njihet me termin Fuqi e Instaluar ose Kapacitet i Instaluar fotovoltaik. Termi kWp përdoret posaçërisht në industrinë e fotovoltakëve.

Ç’lidhje kanë fotovoltaikët me çmimin e energjisë elektrike?

Vërtetë modulet FV janë pajisje, por jo nga ato pajisje që harxhojnë energji elektrike, si psh televizori, kompjuteri apo celulari, përkundrazi. Fotovoltaikët bëjnë të kundërtën e këtyre pajisjeve. Ato prodhojnë elektricitet duke ju kursyer pará të cilat janë të destinuara për t’u shpenzuar tek operatori për pagesën e faturës elektrike, e cila rritet sa herë ju i shtoni një pajisje elektrike të re shtëpisë ose biznesit tuaj. Për këtë arsye fotovoltaikët konsiderohen një investim dhe jo një shpenzim. Pavarësisht përmirësimit të rendimentit të pajisjeve elektrike, është fakt tashmë i njohur botërisht, që rritja e mirëqenies sjell rritjen e kërkesës për konsum të energjisë elektrike; thënë ndryshe, pas disa vitesh ju do të harxhoni më shumë kilovatorë energji elektrike, pavarësisht se do të jeni duke përdorur pajisje me rendiment më të lartë. Pa marrë parasysh faktorët të cilët përcaktojnë çmimin e shitjes së energjisë elektrike, është fakt që në njësinë e kohës çmimi i energjisë elektrike ka qenë në rritje, si në nivel global, ashtu edhe në atë lokal në Shqipëri dhe, do të vazhdojë të mbetet i tillë. Duke qenë se edhe konsumi edhe çmimi i energjisë elektrike do të vazhdojnë të rriten në të ardhmen, individët dhe investitorët po kërkojnë mënyra që t’i mbajnë sadopak nën kontrollin e tyre këto shpenzime. Në sektorin energjetik, fotovoltaikët së bashku me përdorimin e pajisjeve me rendiment më të lartë, i ofrojnë kujtdo të vetmen mënyrë për të patur një masë kontrolli mbi shpenzimet e tashme dhe ato të ardhme të konsumit të energjisë. Vetëprodhimi i energjisë elektrike, përmes një investimi (fizibël) në sektorin e fotovoltaikëve, ju garanton çmim shumë herë më të ulët se të blerjes së saj nga operatori. Fizibiliteti i një investimi në sektorin e fotovoltaikëve lidhet drejtpërdrejtë me çmimin e shitjes së energjisë elektrike. Sa më i lartë të jetë ky i fundit, aq më shpejtë do të shlyejë veten investimi. Gjithashtu, investimi në sisteme FV përbën një investim në sektorin e energjisë së rinovueshme, të pastër dhe në mbështetje të normativave mjedisore.

Sa e përshtatshme është Shqipëria për instalimin e moduleve FV?

Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë ideale në Mesdhé, duke evituar veriun e dëborës dhe shkretëtirat e nxehta, me orë të gjata rrezatimi diellor, mesatarisht 3400 orë në vit. Një sistem FV prej 1kWp i vendosur në mënyrë optimale në Tiranë do të prodhojë elektricitet në rradhët e 1400kWh në vit, thuajse të njëjtë me Romën ku prodhohen rreth 1450kWh/vit, dhe më shumë se në vendet ku fotovoltaikët janë përhapur masivisht si në Londër dhe Berlin ku mesatarisht i njëjti sistem prodhon 1000kWh/vit dhe 950kWh/vit, respektivisht. Në Fier dhe rreth tij, zonë e njohur si me rrezatimin më të madh në Shqipëri, instalimi i 1 kWp, gjeneron rreth 1500-1600 kWh/Vit.

A mund ta instaloj vetë një modul FV?

Po të mos jeni një elektriçist, ne nuk ju rekomandojmë që ju ta instaloni vetë modulin FV. Modulet FV kanë të bëjnë me rrymën e vazhduar, instalime të cilat jo çdo elektriçist i njeh. Prandaj, për mirëqenien tuaj dhe të të tjerëve rreth jush dhe për të evituar dëmtime të përhershme të pajisjeve, ne ju rekomandojmë që ju të kontaktoni me një elektriçist ose teknik me eksperiencë në instalimet fotovoltaike. Së bashku me këtë, duam t’ju kujtojmë se një inxhinier është profesionisti i duhur për të projektuar një sistem FV, jo një elektriçist. Gjithashtu, ju duhet të kuptoni që edhe thjeshtë të transportoni një modul FV të ekspozuar në mes të ditës nga makina juaj për në tarracë, megjithëse nuk është i lidhur me asgjë, moduli do të jetë duke kryer funksionin e tij; pra, ju po rrezikoni të ekspozoheni ndaj tensioneve që mund të tejkalojnë 40VDC! Gjithashtu, një modul FV më vete, me shumë mundësi nuk do t’ju shërbejë për ndonjë gjë në shtëpinë tuaj, meqenëse ka nevojë për një inverter, kabllo, etj., përzgjedhja dhe instalimi i të cilave nuk është diçka që ju mund ta bëni vetë.

Sa është jetëgjatësia e një sistem FV?

Një sistem FV është po aq i mirë sa edhe komponentët e tij, ku kryesorët janë modulet dhe inverterat. Zakonisht, modulet FV cilësore kanë një jetëgjatësi që i tejkalon 25 vjet, ndërsa inverteri ka garanci nga fabrika prej 5 deri ne 10 vjet. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se analizat financiare për të vlerësuar kthimin e investimit ROI zakonisht kryhen për 15-20 vitet e para të sistemit. Për pasojë, ju do të prodhoni elektricitet pa pagesë për një kohë të gjatë pas periudhës së kthimit të investimit.

Unë kam instaluar një sistem FV. Si mund ta operoj? Si mund ta mirëmbaj? Sistemet FV nuk kërkojnë pjesëmarrje personeli gjatë operimit të tyre. Ato funksionojnë në mënyrë automatike, autonome dhe të vazhdueshme. Sapo ta keni instaluar sistemin FV, ju duhet të lexoni manualin e përdorimit dhe mirëmbajtjes, që ju është dhënë nga kontraktori, së bashku me dokumentacionin e garancisë. Më poshtë do të gjeni disa këshilla kryesore e të përgjithshme, që vlejnë për të gjitha sistemet FV: - Modulet FV janë vetë-pastruese; shiu kujdeset për këtë punë. Por, kryesisht për modulet me pjerrësi të vogël, ne ju rekomandojmë pastrimin e tyre të paktën dy herë në vit, duke përdorur të njëjtat produkte dhe mënyrë si për pastrimin e xhamave të dritareve. - Nëse modulet janë të montuara përdhé dhe barërat e këqinj janë rritur aq sa pengojnë rrezatimin e tyre, ne ju rekomandojmë t’i shkulni; në rastë shkurresh, krasitini ato. Nëse pranë moduleve FV po rritet një pemë, e cila nuk është parashikuar gjatë fazës së projektimit, ne ju rekomandojmë që të krasitni degët e saj, por mos e prisni atë në asnjë mënyrë. Ne nuk besojmë se prerja e pemëve është veprim i duhur. - Edhe inverteri kërkon pak vëmendje nga ana juaj. Ju do të jeni në gjendje të dalloni defektin e një inverteri ose nëpërmjet një ndriçimi të kuq vezullitës ose një tingulli të dëgjueshëm, ose thjeshtë duke lexuar matësin e energjisë. Në këtë rast, përpiquni të lexoni atë që shfaqet në ekranin e inverterit dhe kontaktoni menjëhere kontraktorin në mënyrë që të mos humbisni më kilo-vat-orë të çmuar; Qoftë brenda periudhës së garancisë, ose jo, kontraktori juaj e njeh më mirë inverterin se kushdo dhe duhet të jetë në gjendje të përcaktojë me saktësi problemin dhe ta zgjidhë atë.

Cili është ndryshimi midis një sistemi fotovoltaik dhe një sistemi panelesh diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë? Sistemet dhe modulet fotovoltaike janë shumë të ndryshëm nga sistemet diellore të ngrohjes së ujit. Ato bazohen në parime pune dhe teknologji tërësisht të ndryshme. Fotovoltaikët prodhojnë elektricitet sipas efektit fotovoltaik, që kërkon praninë e fotoneve të dritës, ndërsa, sistemi i paneleve diellore për ngrohjen e ujit, ngroh ujin përmes energjisë termale të diellit. Njëra kërkon kabllo, invertera dhe aksesorë të tjerë elekrike, ndërsa tjetra përdor tuba, pompa dhe depozita. Të dyja janë forma të energjisë së rinovueshme dhe shfrytëzojnë rrezet e diellit.

Çfarë nënkuptohet me “Optimizim Sistemi”? Optimizim Sistemi është proçesi që përfshin evidentimin e faktorëve që përcaktojnë sjelljen e sistemit dhe të kontrolluarit e këtyre faktorëve në mënyrë që të maksimizohet prodhimi i energjisë. Optimizimi i një sistemi FV ndodh gjatë fazës së projektimit dhe kryhet nga një profesionist. Ky proçes kërkon vlerësimin e shumë faktorëve që përcaktojnë sjelljen e sistemit FV, si psh: rrezatimi, pozicioni gjeografik, temperatura e ambientit, kushtet atmosferike, orientimin e objektit, burimet e hijeve, mënyrën e konsumit të energjisë, tipet dhe vendndodhjen e pajisjeve, materialet instalative dhe mënyrën e instalimit, etj. Duke marrë parasysh dhe duke gjetur mënyra për t’i kontrolluar këta faktorë, sigurohet që çdo komponent i sistemit të funksionojë aq mirë sa e ka të mundur. Optimizimi sjell uljen e humbjeve dhe rrit rendimentin e sistemit, duke sjellë prodhimin maksimumal të kilo-Vat-orëve. Optimizimi i sistemit mund të jetë gjithashtu i nevojshëm në raste kur sistemi nuk është instaluar në mënyrën e duhur ose në raste kur ndodhin ndryshime të rëndësishme në ambjentin rrethues pas përfundimit të instalimeve.

Si të përzgjidhni një Panel Diellor Fotovoltaik? Modulet FV nuk janë të gjitha të njëjta. Përpara së të blini një modul FV, si njësi të veçuar ose pjesë të sistemit, ju duhet të kuptoni disa karakteristika kryesore: tipin e modulit FV dhe teknologjinë e tij, që është e lidhur në mënyrë direkte të rendimentin dhe energjinë që prodhojnë.

Modulet FV mono-kristalore gjysmë-qelizore dhe ato hibride, sic janë HJT (heterjunction), japin rendimentin më të lartë deri tani. Rendimentet e larta kushtojnë më shumë, prandaj, do t’ju duhet të zgjidhni tipin e modulit në varësi të buxhetit tuaj. Energjia e prodhuar nga moduli FV do të varet nga nevojat tuaja; mblidhni të gjithë ngarkesat që duhen furnizuar për të përcaktuar madhësinë dhe sasinë e moduleve FV ose kërkoni ndihmën e një eksperti. Nëse ju shqetëson hapësira jo e mjaftueshme, kontrolloni dimensionet e modulit dhe përcaktoni se sa kilo-Vat-Pik ajo mund të prodhojë për çdo metër-katror të tij. Një tjetër mënyrë e thjeshtë për të krahasuar modulet FV është të llogarisni se sa do t’ju kushtojë të blini një Vat capactitet prodhues (Lekë/Vat-pik ose €/Vat-pik).

Përveç kapacitetit prodhues dhe rendimentit të modulit, më poshtë do të gjeni një listë pyetjesh që duhet t’ia drejtoni vetes, tregtarit ose kontraktorit për të përzgjedhurin modulin FV që i përshtatet më mirë nevojave tuaja: 1. Si do të funksionojë moduli me kalimin e kohës? Moduli do të degradojë me kalimin e kohës, por ato nuk duhet të degradojnë shume shpejtë. Module shumë të mira do të ruajën 90-95% të prodhimit gjatë 10 viteve të para dhe 80-85% për 15 vitet pasardhëse. 2. Sa i fortë, i qëndrueshëm është moduli? Modulet FV janë të qëndrueshme dhë kanë garanci mekanikë. Por, për përdorime të veçanta, nëse dëshironi të keni mundësinë të shkelni mbi to ose nëse modulet rrezikojnë të bien pré e vandalizmit, duhet të rishikoni me kujdes këtë karakteristikë. 3. Sa peshojnë modulet FV? Të gjithë modulet FV karakterizohen nga pesha e tyre e lehtë, kështu që pesha e tyre nuk përbën kurrë një problem. Kontrolloni peshën; modulet më të rënda mund të kërkojnë një sistem mbajtës më të fortë që kushton më shumë. 4. Sa e lehtë është për të instaluar një modul? Në përgjithësi modulet FV janë të thjeshta për t’u instaluar dhe nuk kërkojnë shumë kohë instalimi. Por instalime të lehta e të thjeshta do të ulin shpenzimet dhe kohën e instalimit dhe do të ulin shpenzimet e punëtorisë. 5. A është moduli estetikisht tërheqës? A do t’i përshtatet ai ndërtesës? A ju pëlqen ngjyra e modulit, ngjyra e kornizës, etj.? 6. Ku do ta instaloni atë? Si është modeli i motit atje? Si janë kushtet e ambjentit? Në disa terrene në Shqipëri ku bie dëborë, ju duhet të konsideroni module FV që janë projektuar për të përballuar ngarkesën e borës dhe të mirëfunksionojnë nën të njëjtat kushte. Në agri-kulturë, modulet FV duhet të kenë kaluar testin e amoniakut. Gjithashtu, disa module FV janë projektuar të funksionojnë shumë mirë në kushtë me shumë pak ndriçim; disa të tjera janë rezistente ndaj gërryerjes së kripës. 7. Sa zgjat garancia e produktit? Çfarë mbulon garancia? 8. Sa e mirë është kompania prodhuese? A e njihni markën? A i besoni markës? A e dini si funksionon kompania prodhuese? A investon kompania në kërkim-zhvillim? Kompanitë e integruara vertikalisht prodhojnë vetë çdo gjë nga nxjerrja e silicit lingotat e silicit dhe lamelat tek qelizat FV dhe modulet, gjë e cila përfundon me një kosto më të ulët të produktit përfundimtar. Nëqoftëse dhe sa një kompani investon në kërkim-zhvillim është një tregues i rritjes së kompanisë, duke prodhuar produkte më të mira me një kosto më të ulët. Pavarësisht se sa dini rreth prodhuesit, ne ju rekomandojmë të shkoni në internet për të lexuar vlerësimet rreth produktit, për të dëgjuar prezantime në youtube, etj. Miku juaj inxhinier nuk do të jetë në gjendje t’ju ndihmojë për të gjetur produktin e duhur, sepse fotovoltaikët në Shqipëri janë ekspozuar shumë pak dhe vetëm së fundi. Ka mungesë të përhapur njohurishë, madje edhe nga inxhinierët elektrikë ose profesorët, të aspekteve praktike të moduleve FV, sepse nuk është e lehtë të përballosh ndryshimet e shpejta teknologjike dhe zhvillimet industriale. Mos u besoni shumë tregtarëve, sepse secili prej tyre do të përpiqet t’ju shesë produktin e vet: dilni dyqaneve dhe bëni pyetje. Vendimi final është i juaji. 9. A është produkti i çertifikuar? Nëse po, ju do të vini re logot e palëve të treta që kanë kryer shërbimin e çertifikimit. Përpiquni të kuptoni cilat karakteristika të produktit ose shërbimit janë çertifikuar.