Zbuloni Destinacione Fantastike në Sarandë!


Warning: count(): Parameter must be an array or an object that implements Countable in /home/algeblbo/public_html/Domains/solaron.al/wp-content/plugins/q-and-a/inc/functions.php on line 252

Njoftim: Autori i shkrimeve të mëposhtme është z. Limos Didani, i cili zotëron të drejtën e autorit mbi këto shkrime. Askush përveç autorit nuk mban përgjegjësi ligjore mbi saktësine e këtyre shkrimeve. Këto shkrime nuk përfaqësojnë mendimin e asnjë pale përveç autorit të tyre. Referencë: z. Limos Didani, publikuar gjatë vitit 2018 në sarandaweb.net

Lukova, një qytezë turistike model

Natyra e mrekullueshme, deti, mali, agroturizmi dhe arkitektura e bëjnë Lukovën, një ndër fshatrat më bukur të bregdetit dhe të frekuentuar gjatë stinës së verës. Lukova, perla e bregut të Jonit, është një ndër fshatrat karakteristike të bregdetit shqiptar. E vendosur vetëm 21 km larg qytetit të Sarandës në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, ofron për pushuesit mundësinë e përzgjedhjes së një paketeë mjaft të kombinuar pushimesh. Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika. Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit. Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit me ngjyrën e veçantë, fshati me kalldrëmin e tij karakteristik, me shtëpitë e tij tipike me muret mbuluar me lule, plazhet e arta, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që pushuesit zbulojnë në Lukovë.

Manastiri i Shën Mërisë, Kakome

Manastiri i Kakomesë, ndërtim i shek. XVIII, ndodhet rreth 10 km nga Saranda në rrugën e Bregut, 1 km larg plazhit të Kakomese ne bregdetin Jon. Manastiri ka një kullë ngujimi të fortifikuar në skajin Verilindor të oborrit. Në qëndër të kompleksit ndodhet kisha e Shën Mërisë, ndërtim i shek. XVI-XVII me hajat në anën perëndimore dhe me pikturë murale në brëndësi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, triabsidal me dimesione të brendëshme 6.80 x 3.70 m. Naosi ndriçohet nga 4 dritare në absidat anësore, ndërsa ambjenti i altarit nga 3 dritare të vogla. Çatia është e mbuluar me tjegulla, është dyujëshe duke patur më të ngritur pjesën që i takon krahëve jugorë dhe veriorë te kryqit qe afron me bazilikat me kupolë. Pjesët këndore të naosit janë të mbuluara me qemerë cilindrikë, të cilat hapen ndaj nefit qëndror. Në brendësi të kishës, mbi 4 kollona krijohet bërthama katrore mbi të cilën ngrihet kupola me tamburin 8 faqësh. Ambjentet e tjera te Manastirit jane te rrenuara dhe pa çati. Dikur ne kete Manastir ka funksionuar shkolla per vajza dhe djem. Thuhet se prone e Mastirit te Kakomese ka qene edhe nje vapor, gravure e te cilit ndodhet e pikturuar ne muret e tij.

Kisha e Shen Merise, Manastiri Krorëz

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë Krorëz është ndërtuar në një breg shkëmbor, në një pozitë natyrore të mbrojtur dhe njëkohësisht piktoreske, prej nga hapet një pamje e gjerë e peizazhit bregdetar. Ndodhet mbi plazhin e Krorëzës dhe mbërritja këtu mundësohet vetëm me ecje në këmbë. Nga ndërtimet e vjetra të manastirit kanë arritur deri në ditët e sotme kisha, kulla dhe një ndërtesë me çardak. Kisha ne Krorez është pikturuar në vitin 1672, por këto piktura janë dëmtuar rëndë si pasojë e shkrimit të emrave nga ushtarët përgjatë viteve të ateizmit. Është e tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 7.90 × 4.40 m. Ambjenti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri guri, me tri hapësira hyrjeje. Aktualisht Kisha e Shën Mërisë në Manastirin e Krorezës rrezikon shembjen për shkak se rrënjët e pemëve të mbira përgjatë viteve kanë depërtuar në muret e kishës.

Kisha e Shën Thanasit në Leshnicë

Kisha e Shën Thanasit ndodhet në Leshnicën e Poshtme dhe aktualisht prej 1 viti ndodhet e rrëzuar. Një mbishkrim në hyrje të saj përmendte vitin 1797 në të cilin është ndërtuar. Naosi është i tipit bazilik me kupolë trenefësh, me përmasa të brendshme 8.10 x 5.90 m. Dy radhë kollonash e ndajnë naosin në tre nefe gjatësore, nga të cilat nefi qendror është në mënyrë të dukshme mjaft më i gjerë dhe më i lartë nga dy nefet anësore. Kollonat lidhen me njera-tjetrën dhe me muret perimetrale me një rrjet harqesh në të gjitha drejtimet. Distanca ndërmjet dy çifteve lindore të kollonave është më e madhe, duke krijuar kështu mundësinë e formimit të një bërthame katrore, të mbuluar me kupolë me një tambar të lartë, si dhe të një nefi tërthor tepër hapësinor. Nefi qendror dhe ai tërthor mbulohen me qemere cilindrike, ndërsa bërthamat e vogla në nefet anësore janë të mbuluara me kësula sferike. Pjesa qëndrore e naosit të kujton strukturën në formë kryqi. Ambienti i altarit është i ngushtë, por hapësira e tij zgjerohet nga dalja jashtë e apsidës së bemës. Në anën perëndimore naosi lidhet me narteksin, i cili në gjëndjen fillestare ka qenë i hapur me tri arkada në faqet e jashtme të tij. Narteksi është i  mbuluar me çati druri pa tavan. Muratura e kishës është shumë e rregullt, e ndërtuar me gurë shtresorë dhe përfundon me një kornizë guri, në formë dhëmbësh sharre. Në pamjen e jashtme bie në sy vëllimi prizmatik i kishës me faqe të rrafshta, i mbuluar me çati dyujëse, nga i cili shkëputen volume i tamburit tetëfaqësh dhe ai i apsidës trifaqëshe. Janë pikërisht këta dy elemente që përmbajnë përpunimin më të pasur arkitektonik. Faqet e tyre janë të gjallëruara me nike të ngushta, të mbuluara nga sipër me harqe tullash. Në anën veriore të naosit janë ndërtuar dhoma të ndryshme që u shërbenin murgjëve në jetën e tyre të përditshme. Naosi ndahet nga altari me një tempull të drunjtë në të cilin ka ikona plot art të Shën Thanasit dhe Shënjtorëve të tjerë. Në pjesën e brendshme naosi është tërësisht me afreske dhe vetëm për këtë ai përbën një monument të vyer social, kulturor dhe fetar.

Urat e gurta në Theollogo, Ura e Cerkovicës dhe Ura e Leshnicës

Ura e Cerkovicës është më e madhja e krahinës së Theollogos. Duket të jetë ndërtuar në shek 18-të dhe shërbente si kalim për në Monastirin e Shën Janit të Theollogos, por dhe për fshatrat më malorë të Leshnicës së Sipërme dhe të Poshtme. Ka gjatësi 37 metra dhe gjerësi 2.60 m etra është e shtruar me gurë. Përbëhet nga dy harqe gjysëm rrethorë në distancë 13 metra dhe është 5.6 metra mbi nivelin e ujit. Harku i madh ka rreze 4 metra dhe i vogli 3.50 metra. Ura e Leshnicës së Poshtme u ndërtua në shekullin e 19-të që fshati të ketë akses nga ana e përroit. Ka një hark drite prej 6 metra. Gjatësia e saj është 11 metra, lartësia 4.5 metra dhe gjerësia 2 metra. Në krah të Monastirit të Shën Gjergjit të Leshnicës së Sipërme është ndërtuar në shekullin e 17-të një tjetër urë e gurtë më e vogël se të tjerat. Ka gjatësi 6.5 metra dhe gjerësi 1.9 metra. Urët e gurta të asaj periudhe rezistojnë akoma sot, pasi mjeshtrat i ndërtonin me merak të veçantë, duke respektuar gjithmonë ligjet e natyrës.

Fshati Mursi, Sarandë

Mursia ndodhet 20 km nga qyteti i Sarandes, 7 km nga qyteti antik i Butrintit. Nga kufiri me Greqinë ndodhet 8 km nga pika e Qafë Botës. Fshati është ndërtuar  mbi një kodër të ulët e cila është e rrethuar me male, liqeni dhe fusha.

Plazhi Shpella Lukovë

Vija bregdetare e Lukovës përbëhet nga një shumëllojshmëri të plazheve të vogla dhe një plazh i madh me emrin Shpella Lukovë. Plazhi i Shelles Lukovë gjendet 25 km larg Sarandës
Rruga për në plazhin Shpella Lukovë është e gjatë dhe ndjek kodrat poshtë si një rrugë gjarpër midis ullinjve duke i dhënë asaj një bukuri unike dhe natyrore.

Shpella e Pëllumbave Sarandë

Shpella e Pellumbave ndodhet rreth 12 km larg Sarandës. Rëra e pastër dhe uji i kristaltë e bëjnë këtë gji një ndër plazhet më të bukur. Terreni i vështirë për të shkuar deri aty i bën aventurierët e guximshëm të ndihen në këtë plazh si në parajsën e tyre. Shpella e Pellumbave Sarande

Manastiri i Shën Janit Theollogut, Cerkovicë

Manastiri i Shën Janit Theollogut ndodhet në Cerkovicë dhe mendohet se është ndërtuar në vitin 1600. Udhëtarë të asaj epoke e karakterizonin si fole shqiponje në shkëmb. Në manastirin e njohur të Shën Janit Theollogut u hap në vitin 1876 shkollë qendrore për tu shërbyer fshatrave përreth. U themelua nga vëllezërit N. Lapa nga Dhrovjani, në kujtim të vëllait të tyre Evthimiu prandaj dhe u emërua “Shkolla Qendrore e Rizës Evthimios”. Shën Kozmai Etolloi gjatë udhëtimit të tij të tretë të vitit 1777, duke ardhur nga Povlla, qëndroi dhe dha mësim para dëgjuesve të shumtë të Monastirit të Shën Janit Theollogut. Thuhet se në Manastir ekzistonte një dorëshkrim me informacione të shumta historike për gjithë krahinën. Një i quajturi Ciril nga Leshnica, i cili kishte shërbyer si igumen i manastirit, i vendosur në Iasion të Moldavisë rreth viteve 1800, deklaroi se kishte marrë me vete këtë dorëshkrim të vyer dhe se do ta botonte, por gjurmët e tij humbën dhe dorëshkrimi nuk u bë publik. Ndërtesat e vjetra rreth manastirit u rrëzuan gjatë viteve të regjimit komunist dhe me gurët e tyre ndërtuan stalla për bagëtitë.

Kështjella në Shën Lia, Malçan, Theologo

Ky vendbanim i lashtë shtrihej në jug-perëndim të fshatit të sotëm të Malçanit, në kodrën e Shën Lias, në lartësinë 650 m mbi nivelin e detit. Kodra, në të dy faqet e saj, në jug-perëndim dhe jug-lindje, ishte dhe i përshtatshëm dhe mjaft i bollshëm për banesat dhe ndërtesat publike. Tarracat mbi të cilat ndodheshin ndërtesat, përforcoheshin me mure ashtu si në qytetet e tjera të Kaonisë. Planimetria e vendbanimit është e thjeshtë, në formë trekëndshi me perimetër 1000 m. dhe sipërfaqe 110,400 m² nga të cilat ishin të banueshme 2/3 e saj. Muret mbojtëse me gjerësi 3.50 m përbëheshin nga dy faqe dhe ishin ndërtuar me teknikën isodomike katërkëndore. Në total përmbanin 16 kulla, të gjitha në anën lindore, në formë katërkëndore, me 6.50 m secila brinjë. Kishte tri hyrje të ruajtura nga 2–3 kulla secila. Hyrja 2 në anën veri-lindore dhe në vendin më të ulët të vendbanimit, është më e madhja, më e mirëmbajtura dhe siguronte komunikimin me vendin përreth, me vendbanimet fqinje. Hyrja 1 ndodhet në anën veriore dhe hyrja 3 në atë lindore. Vendbanimi kishte dy sheshe me gjerësi 100 metra secila dhe në 20 metra largësi nga njëra-tjetra. Jeta në vendbanim ishte më e vrullshme gjatë shekujve III – II para J. Krishtit. Furnizimi me ujë bëhej nëpërmjet një ujësjellësi që e sillte ujin nga burimet mbi fshatin Malçan. Gojëdhëna që kanë mbërritur deri në ditët e sotme thonë se ajo ka shërbyer si vendbanim veror për Mbretin Piro të Epirit.