Shtëpi

Si të Kurseni Energji në Shtëpi

Më poshtë do të gjeni disa këshilla për të ulur konsumin tuaj të energjisë në shtëpi dhe për pasojë të zvogëloni faturën mujore të energjisë elektrike. Nëse ju planifikoni të ndërtoni një shtëpi të re ose të restauroni shtëpinë ekzistuese, ose nëse keni një buxhet fare të vogël për të përmirësuar ciklin e energjisë në shtëpinë tuaj, duhet të vazhdoni të lexoni më tej. Disa nga këshillat tona nuk do t’ju kushtojnë asgjë, por kërkojnë vetëm disa ndryshime të zakoneve nga ana juaj.

Pajisjet dhe zgjidhjet për kursimin e energjisë të listuara më poshtë, përveç fotovoltaikëve, janë jashtë objektit të aktivitetit të Solaron shpk, por ne besojmë se ndarja e njohurive tonë teknike me publikun e gjerë do t’ju shërbejë ju për të zvogëluar shpenzimet tuaja dhe do të kontribuojmë në zhvillimin e përgjithshëm të qëndrueshëm dhe me rendimet të lartë të sektorit energjetik të vendit tonë.

Këshilla të Përgjithshme

  • Nëse do të largoheni nga shtëpia për një kohë të gjatë, hiqni nga priza ekranin e televizorit, desktopin, laptopin, radion, sobën me mikrovalë, lexuesin e DVD-së, orët elektronike; ato do të konsumojnë energji edhe nëse nuk janë në përdorim.
  • Nëse nuk jeni duke e përdorur desktopin ose laptopin tuaj, fikeni atë. (Mos e lini asnjëherë laptopin në prizë me bateri plotësisht të karikuar; kjo shkatërron baterinë e tij.)
  • Nëse keni vënë për karikim një bateri, shkëputeni atë menjëherë nga priza sapo bateria të jetë plotësisht e karikuar.
  • Përdorni perde të rënda ose grila për të zvogëluar rrezatimin direkt të diellit në verë dhe për të ruajtur brenda ajrin e ngrohtë gjatë dimrit.
  • Izoloni muret e jashtëm të banesës tuaj për të ruajtur brenda ajrin e ngrohur ose të ftohur.
  • I mbyllni mirë dyert e brendshme ose të jashtme.
  • Instaloni dritare me xham të dyfishtë.
  • Nëse keni një oxhak, mbulojeni atë me një dritare xhami për të ruajtur ajrin e ngrohtë gjatë dimrit dhe atë të ftohtë gjatë verës.
  • Gjatë dimrit, mbuloni dyshemetë me tapete dhe rrugica.
  • Gjatë verës, përdorni ventilatorët e tavanit ose ventilatorët portabël për t’u freskuar shpejtë. Fikini ato nëse nuk jeni në shtëpi.
  • Sigurohuni që hapësira midis dyerve dhe dyshemesë të jetë sa më e vogël.
  • Mbillni pemë gjatë perimetrit të jashtëm të shtëpisë tuaj; ato do t’ju bëjnë hije gjatë verës dhe do të zvogëlojnë ndikimin e erërave të ftohta gjatë dimrit.
  • Përdorni tenda të jashtme me mekanizëm, të axhustueshme.
  • Instaloni module FV në tarracën ose çatinë tuaj.
  • Instaloni një tendë fotovoltaike për aktivitetet tuaja në kopësht, për makinën tuaj ose si strehë për të mbajtur drutë e zjarrit.
  • Përdorni tjegulla fotovoltaike.

Pajisjet Elektroshtëpiake

  • Kur jeni duke kërkuar të blini pajisje elektroshtëpiake, duhet të kontrolloni patjetër etiketën mbrapa pajisjes. Energjia e konsumuar nga pajisja varion nga klasa A+++ në G; sa më afër klasës A+++ të jetë pajisja, aq më të lartë e ka rendimentin, pra aq më e mirë është ajo.
  • Përdorni ciklin ekonomik (të ruajtes së energjisë) të rekomanduar nga prodhuesi i pajisjes kur jeni duke përdorur një pjatalarëse, rrobalarëse, frigorifer, etj.
  • Pastroni nga pluhuri pjesën e pasme të frigoriferit me ndihëm e një fshese me korrent.
  • Vendoseni frigoriferin të paktën 5cm larg murit për të qenë i ventiluar më mirë.
  • Ndryshoni temperaturën e frigoriferit sipas stinëve.
  • Zëvendësoni gominën hermetizuese të derës së frigoriferit nëse ajo ka filluar të prishet.
  • Mbajeni ngrirësin sa më të mbushur të jetë e mundur; do të konsumojë më pak energji nëse është plot.
  • Kur jeni duke përdorur furrën e sobës, evitoni të hapni derën e saj; sa herë që ju hapni derën e furrës temperatura do të bjerë me 25°C.
  • Përpiquni të përshtatni madhësine e enëve të gatimit me plitën e sobës.

 Ndriçimi

  • Zëvendësoni llampat e zakonshme me llampa fluoreshente-kompakte ose LED, urgjentisht.
  • Pastroni rregullisht pluhurin nga sipërfaqja e llampave dhe ndriçuesve.
  • Kur jeni duke kërkuar të blini një ndriçes, përzgjidhni një me xokël elektronike, e cila do t’ju kurseje deri ne 40% të energjisë krahasuar me një xokël të zakonshme magnetike.
  • Gjithashtu, përzgjidhni një ndriçues që nuk mbulon llampën, në mënyrë që të mos detyroheni të blini llampa më të fuqishme. Nëse është e mundur përzgjidhni ndriçues me reflektorë dhe/ose difuzorë.
  • Përdorni një dimer për të ulur intensitetin e ndriçimit në një dhomë për një atmosferë romantike ose gjumëndjellëse.
  • Përdorni një sensor lëvizje për të kontrolluar ndriçimin, kryesisht në dollapë muri, bodrume, papafingo, garazh apo depo. Kjo e lehtëson fikjen e ndriçimit sidomos nga fëmijët.
  • Përdorni një sensor kohor ose sensor fluksi drite për të kontrolluar ndriçimin e jashtëm; në këtë mënyrë, dritat do të jenë ndezur vetëm kur është e nevojshme.
  • Sigurohuni që ndriçuesi i tualetit dhe aspiratori të mos komandohen nga i njëjti çelës.
  • Nëse jeni duke projektuar shtëpinë tuaj, i kërkoni inxhinierit që ta ndajë ndiçimin sa më shumë, në mënyrë që ju të mund të ndizni dritat atëherë kur janë të nevojshme dhe jo në
  • Përdorni një ndriçues fotovoltaik në shtyllë, së bashku me bateri për ndriçimin e jashtëm. Kjo do t’ju eleminojë shpenzimet e instalimit të kabllove të gjatë përmes oborrit dhe do të zvogëlojë faturën e energjisë elektrike.
  • Përdorni spote fotovoltaike për ndriçimin e rruginave të oborrit tuaj ose për të hijezuar objekte të veçanta ose aspekte të spikatura arkitekturore të objektit.

Ngrohja & Ftohja

  • Ndërroni ose pastroni rregullisht filtërat e kondicionerit.
  • Mos i instaloni kondicionerët ngjitur me mobiljet ose perdet.
  • Kur ndizni pajisjen e ngrohje/ftohjes, filloni të rrisni gradimin nga niveli më i ulët; mos e gradoni asnjëherë në maksimum sapo ta keni ndezur.
  • Vendosni pajisje kontrolli të programueshme për sistemin ngrohje/ftohje që lejojnë kontrollin automatik të sistemit, në mënyrë që ju të mos i harroni ato ndezur ose që të mos ktheheni nga puna në një shtëpi të ftohtë.
  • Projektoni një shtëpi me ngrohje diellore pasive.
  • Konsideroni mundësinë e instalimit të një prej teknologjive të pompave të nxehtësisë për të ngrohur dhe ftohur shtëpinë tuaj.

Uji i Ngrohtë

  • Instaloni një sistem diellor për ngrohjen e ujit.
  • Hiqni nga priza bojlerin nëse do të largoheni nga shtëpia për një fundjavë ose një afat kohe edhe më të gjatë.
  • Zvogëloni temperaturën e bojlerit tuaj.
  • Zëvendësoni kokën e dushit me një që përdor më pak ujë pa kompromentuar komfortin tuaj. Gjithashtu, zvogëloni lartësinë e montimit të
  • I riparoni menjëherë rrjedhjet në tubacionet e ujit.