Aspektet Praktike

Aspektet Praktike të Moduleve FV

Ku?

Modulet FV mund të montohet në çdo vend të ekspozuar në diell për orë të gjata.

Zakonisht ato vendosen në çati ose tarracë, meqenëse këto hapësira janë zakonisht të lira dhe të papërdorura për aktivitete të tjera.

Moduled FV gjithashtu vendosen në tokë, të montuara mbi një strukturë të përshtatshme, të pozicionuara në mënyre optimale për të siguruar ekspozim maksimal ndaj diellit. Në vendndodhje që nuk ndriçohen mirë, modulet FV mund të montohen në shtyllë.

Kohët e fundit, fotovoltaikët e integruar në ndërtesë po bëhen tepër të njohura. Ato përdoren për të veshur fasada, për të bërë hije në objekte rezidenciale ose tregtare, madje vendosen në xhamat e dritareve në formë laminati. Në raste të tilla, bashkëpunimi me një arkitet është i rëndësishëm për të ruajtur aspektin estetik të ndërtesës.

Tjegullat FV janë gjithashtu një zhvillim teknologjik. Ato instalohen në vend të tjegullave të zakonshme, duke prodhuar elektricitet dhe duke mbrojtur objektin nga agjentët atmosferikë. Ato nuk bien në sy dhe janë një zgjedhje e shkëlqyer për ata që nuk preferojnë pamjen e moduleve FV standarte. Janë praktike për t’u instaluar gjatë ndërtimit të objektit ose gjatë restaurimit të çatisë.

Si?

Orientimi i moduleve në drejtim të Jugut sjell ekspozimin maksimal në diell; kështu qe Jugu përbën orientimin më të përgjithshëm dhe më të preferuar. Në disa raste, orientimi Lindje-Perëndim i moduleve është i këshillueshëm.

Animi i moduleve FV (këndi midis modulit dhe vijës së horizontit njohur si kënd inklinimi ose tilt) është kritik për prodhimin maksimal të energjisë. Ky kënd është i veçantë për çdo vendndodhje në Tokë; këndi i inklinimit të një moduli FV në Shkodër do të jetë i ndryshëm nga këndi i inklinimit të të njëjtit modul në Vlorë. Edhe brenda të njejtit qytet këndi i animit do të ndryshojë.

Konsultimi me një profesionist lidhur me orientimin dhe animin e modulit FV është kritik; këto dy faktorë do të përcaktojnë nëse instalimi i një sistemi FV do të jetë fitimprurës ose jo.

Modulet FV nuk ndikohen nga agjentët atmosferike. Shiu nuk ndikon funksionin e tyre; në të vërtetë, shiu përmirëson rendimentin e tyre duke e mbajtur të pastër sipërfaqen e modulit. Era nuk përbën kurrë një problem, me kusht që ato të jenë montuar në mënyrë të saktë. Nga ana tjetër, temperatura e ambientit ndikon në funksionimin e tyre. Temperatura tepër të larta do të zvogëlojnë rrymën e prodhuar nga moduli FV. Si rezultat, është i rëndësishëm konsultimi me një specialist në gjendje të përcaktojë shtrirjen e duhur të moduleve FV për t’u ftohur në mënyrë natyrale.