Inverterat

Inverterat

Në inxhinierinë elektrike, një inverter fuqie, një inverter diellor ose thjeshtë një inverter, është një pajisje e përdorur për të kryer shndërrimin e rrymës nga e vazhduar (DC)  e prodhuar nga modulet FV ne atë alternative (AC) e përdorur nga familjarët, bizneset dhe industria.

Parametrat më të rëndësishëm të një inverteri janë madhësia dhe rendimenti i tij. Madhësia e inverterit varet nga madhësia e sistemit FV, e cila nga ana tjetër është e lidhur me sasinë e energjisë që sistemi duhet të prodhojë. Madhësia e një sistemi FV përcakton madhësinë e inverterit; sa më i madh sistemi FV, aq më e madhe madhësia e inverterit ose numri i inverterave të kërkuar. Rendimenti i inverterit është raporti i energjisë AC të prodhuar me energjinë DC të ushqyer; sa më i lartë rendimenti i inverterit, aq më i mirë është inverteri. Rendimente të larta zakonisht kushtojnë më shume. Tek inverterat e mire ose shumë të mirë, rendimenti i tyre duhet të kalojë 95%.

Autoriteti i rrjetit dhe legjislacioni përkatës përcakton detyrimet dhe kushtet kryesore qe duhet të plotësojë një inverter si tensioni, frekuenca, mbrojtje anti-ishullzim. Inverterat ndryshojnë në varësi të tipit të sistemit FV: ato mund të jenë ndërveprues (me rrjetin) ose të veçuar, njëfazorë ose trefazorë.

MPPT, (nga anglishtja Maximum Power Point Tracking) ndjekje e pikës së maksimumit të fuqisë, është një karakteristikë që optimizon funksionimin e disa inverterave në sistemet FV në-rrjet ose karakteristikë e kontrolluesit të ngarkimit në sistemet FV jashtë-rrjetit. Gjatë ditës dhe stinëve, rrezatimi dhe temperatura e modulit do të ndryshojnë, duke përftuar nivele të ndryshme të tensionit dhe rrymës, e si rezultat edhe prodhim të ndryshueshëm fuqie. Përmes një algoritmi, qarku MPPT do të kontrollojë në mënyrë dixhitale dhe do të sigurojë që moduli funksionon nën tensionin që prodhon fuqinë më të madhe (në kulmin e kurbës I-V). Inverterat me MPPT të lidhur në rrjet prodhojnë 15% – 20% më shumë energji krahasuar me inverterat pa këtë karakteristikë, gjë e cila vjen përkundrejtë një kostoje më të lartë. Kontrolluesit diellor të ngarkimit me MPPT (në bashkëveprim me bateritë) mund të rrisin fuqinë me 20%-45% në dimër dhe 10%-15% në verë; prandaj përdorimi i tyre është i këshillueshëm në klimë të ftohtë.

Parametra të tjerë të një inverteri për t’u konsideruar janë përmasat fizike, mundësitë e montimit, mbrojtja ndaj hyrjeve (IP), emetimi i zhurmave, mundësitë e monitorimit, çertifikimi, garancia, marka, etj. Sikurse çdo pajisje elektrike, inverteri do te konsumohet me kalimin e kohës, gjë që shkakton uljen e rendimentit të tij. Konsultoni specifikimet teknike të prodhuesit për të kuptuar se si inverteri do të zhvlerësohet. Jetëgjatësia e inverterave mund të shkojë deri në 10 vjet, prandaj është e rëndësishme të shqyrtohet ndryshimi i inverterit të paktën një herë gjatë jetës së sistemit FV.