Sisteme Fotovoltaike

Sistemet Fotovoltaike

Një Sistem Fotovoltaik ose Sistem FV është tërësia e pajisjeve elektrike që përdorin teknologjinë fotovoltaike me qëllim prodhimin e rrymës elektrike. Sistemi më i thjeshtë FV përbëhet nga një modul fotovoltaik që prodhon rrymë të vazhduar (DC) sapo ekspozohet ndaj rrezeve të diellit, një inverter diellor ose thjeshtë një inverter, që shndërron rrymën e vazhduar (DC) të prodhuar nga moduli në rrymë alternative (AC) që përdoret gjerësisht, pajisje mbrojtëse, çelësa dhe kabllo. Zakonisht një sistem FV përmban më shumë se një modul FV, tërësia e të cilëve të ndërlidhur në mënyre elektrike dhe të montuar mbi të njëjtën sipërfaqe formon një Panel Fotovoltaik.

Madhësia e një sistemi FV ndryshon nga disa Vat në mega-Vat. Pjesa më e madhe e sistemeve FV janë të lidhura me rrjetin publik energjetik, por mund të jenë edhe autonomë.
Sistemet FV klasifikohen në varësi të lidhjes ose jo me sisteme e burime të tjera energjetike dhe mënyrës së lidhjes, në-rrjet, jashtë-rrjetit ose sistem FV hibrid. Pjesa më e madhe e sistemeve FV projektohen për të funksionuar në tension të ulët (TU). Vetëm pak sisteme FV të shkallës së gjerë (ferma FV, çentrale FV, impiante FV, etj.) janë projektuar për t’u shndërruar në tension të mesëm ose të lartë (TM, TL).

Sistem FV Në-Rrjet ose Rrjet-Lidhur ose Ndërveprues– Ky është tipi më i përhapur i një sistemi FV. Është i lidhur me rrjetin e furnizimit dhe funksionon në paralel. Ky sistem përmban pajisjet kryesore si module FV dhe invertera dhe është i sinkronizuar me rrjetin e furnizmit të energjisë elektrike. Në varësi të madhësise së sistemit FV, ai furnizon me energji pjesërisht ose plotësisht godinën. Në qoftë se sistemi FV prodhon më shumë energji se ajo e konsumuar në ndërtesë, pjesa e mbetur do të ushqejë rrjetin, duke e bërë pronarin përfitues. Në rastet e prodhimit të pakët të energjisë nga sistemi FV, si rezultat i instalimit të një sistemi të vogël, ose kushteve të papërshtatshme klimatike, ose gjatë natës, godina do të marrë energji nga rrjeti. Në raste ndërprerjesh energjie (për shkak defektesh ose mirëmbajtje) sistemi FV e ka të pamundur të furnizojë objektin, po të mos jenë kryer instalime të tjera të veçanta, siç është grupi i baterive. Pjesa më e madhe e sistemeve FV rrjetlidhura nuk përmbajnë bankë baterish për arsye kostoje. Vetëm në raste të ndërprerjeve të papërballueshme të energjisë, të defekteve tepër të shpeshta në rrjetin e shpërndarjes, ose të instalimit të pajisjeve speciale që kërkojnë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, është i këshillueshëm instalimi i një sistemi FV rrjetlidhur me bateri.

Sistem FV Jashtë-Rjetit ose I-Veçuar ose Autonom – Ky sistem mbështetet vetëm në teknologjinë fotovoltaike për të prodhuar elektricitet. Komponentët qëndrorë të një sistemi FV Jashtë-Rrjetit janë: module FV, kontrollues ngarkimi dhe bateri. Ky sistem mund të përmbajë një inverter në rastet kur e gjithë ngarkesa ose një pjesë e saj kërkon një burim furnizimi AC. Këto sisteme variojnë nga më të voglat si për shembull një shtyllë e ndriçimit rrugor deri tek furnizimi i fshatrave të tëra në viset më të largëta. Nevoja për sisteme të tilla lind kryesisht nga mungesa e një linje elektrike ose nga kostoja e lartë e ndërtimit të saj. Një rezidencë, një restorant ose një shtëpi pritëse në një vend të largët mund të funksionojnë tërësisht me një sistem FV të mirë-projektuar. Një sistem FV portabël mund të jetë një burim i sigurtë energjie nëpër kampe.

10. Off grid PV
Përdorime të zakonshme, të efektshëm dhe ekonomikë te sistemeve FV jashtë-rrjetit në vende të izoluara ose jo përfshijnë: instalime reklamash në terrene të vështira, grupim ndriçuesish, ngritje ekspedite, sinjalistikë rrugore e portuale, sinjalistikë aeroportuale dhe hekurudhore, elektropompapa uji me energji fotovoltaike etj.

Sistem FV Hibrid

Një sistem FV hibrid bashkërendon prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët me forma të tjera të prodhimit të energjisë, qofshin ato të rinovueshme ose jo, si për shembull një turbinë ere ose një gjenerator. Një sistem FV hibrid mund të jetë në-rrjet ose jashtë-rrjetit. Sistemi më i thjeshtë në-rrjet FV hibrid përfshin module FV, inverter dhe një bankë baterish për të siguruar elektricitet të vazhdueshëm. Njëkohësisht, një godinë e izoluar mund të furnizohet nga një sistem FV dhe gjenerator, i cili ndizet automatikisht në mbrëmjë ose në mot me ré të dendura. Fotovoltaikët inkorporohen gjithashtu në rulota, barka, jahte. Përdorime tepër të dobishme të sistemeve FV hibride mund të gjenden në agro-biznes, stacione të telefonisë së lëvizshme ose ne stacione të transmetimit të të dhënave.